Andrea Stefani – Opozita e PD po e sulmon Kryeministrin Edi Rama duke e akuzuar se ndërsa përpiqet të marrë shumicën e bashkive në zgjedhjet që po afrojnë, po vë në zbatim parullën leniniste “gjithë pushtetin sovjetëve”!
Sipas disa zërave në PD, zotërimi edhe i pushtetit qendror edhe i atij lokal nga një parti apo koalicion partish (në këtë rast nga Aleanca për Shqipërinë Europiane), do të qe shumë e rrezikshme sepse do cenonte ndarjen dhe balancën e pushteteve aq të rëndësishme për demokracinë liberale. Por po të përpiqesh të depërtosh në thelbin e këtyre pretendimeve, bindesh se nuk është fare ashtu madje, se është në interesin e qytetarëve dhe një qeverisje më të mirë, që këtë herë, i gjithë pushteti t’u kalojë “sovjetëve”.
***
Është krejtësisht e gabuar të pretendosh se ndarja dhe balanca e pushteteve në shtet është e lidhur me diversifikimin e pushtetit qendror me atë lokal. Pushtetet në shtet mund të jenë të ndara dhe të baraspeshuara sikundër e kërkon demokracia liberale edhe pse si pushteti qendror ashtu edhe ai lokal mund të jenë në dorën (të paktën në shumicë) e një partie apo një koalicioni partish. Dhe e kundërta. Pushteti qendror dhe ai lokal mund të jenë nën flamuj të ndryshëm politikë e megjithatë, pushtetet në shtet të mos jenë të ndara dhe të baraspeshuara siç kërkohet. Përse? Sepse ndarja e pushteteve nuk ka të bëjë fare me faktin se kush është në qeveri dhe kush është në bashki. Ndarja e pushteteve, aq jetike për demokracinë, ka të bëjë me raportet mes pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe atij gjyqësor, nëse këto pushtete janë të pavarur nga njëri-tjetri dhe të aftë të baraspeshohen dhe kontrollohen reciprokisht.
***
Ndarja mes tre pushteteve të sipërpërmendura është tepër jetike për shtetin demokratik sa t’i lihet rastësisë që mund të sjellë një votim. Sepse gjithnjë, do të ketë një moment, që shumica e votuesve mund të vendosin që t’ia japin edhe pushtetin lokal po asaj partie apo atij koalicioni që ka edhe pushtetin qendror. Ndarja e pushteteve nuk është koniunkturë por strukturë e pandryshueshme nga rezultatet e votimeve. Shkurt demokracia nuk mund të rrezikojë që ta lërë ndarjen e pushteteve në dorë të vetë demokracisë. Prandaj ndarja është e përcaktuar me Kushtetutë. Prandaj demokracia liberale cilësohet edhe si demokraci kushtetuese. Sepse ka disa raporte, struktura, institucione që ekzistojnë në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht humorit politik të masës shprehur në votime. Dhe është ironike që pikërisht zëra nga PD që në vitin 2008 ishin pro ndryshimeve skandaloze të Kushtetutës që cenuan ndarjen e pushteteve, shfaqen sot të “alarmuar” për kërcënimin e kësaj ndarje nga kalimi në një dorë i pushtetit qendror dhe atij lokal. Një “alarm” që është, në fakt, një blof, por jo një shqetësim real për ndarjen e pushteteve.
***
Kjo ishte, si të thuash, ana teorike e problemit. Por edhe në rrafshin praktik, na duket më e dobishme për qeverisjen lokale që qytetarët të votojnë në këto zgjedhje për koalicionin që ka edhe qeverinë. E pranojmë se në kushte normale, nuk do kishte fare nevojë të shtrohej ky problem. Por Shqipëria nuk është akoma një shtet normal, një demokraci ku disa sfera me dobishmëri publike mbeten të pandikuara nga konfliktualiteti politik. Dhe në kushtet e një konfliktualiteti ku partitë i fusin stërkëmbësha njëra-tjetrës nëpër këshilla bashkiake duke bllokuar deri edhe vendimmarrje për buxhetin dhe investimet, është më mirë që frenat e qeverisjes të jenë në të njëjtën dorë që mban edhe ato të pushtetit qendror, edhe ato të pushtetit lokal. Kjo nevojë për një qeverisje sa më larg një konfliktualiteti patologjik dhe jo ndonjë epsh leninist për të marrë të gjitha pushtetet, sikundër pretendohet nga PD, e ka nxitur Ramën të kërkojë votën e qytetarëve edhe për pushtetin lokal. Dhe në kushtet kur një gjë e tillë jo vetëm nuk cenon ndarjen e pushteteve por përkundrazi, shmang kapilarëzimin e konfliktualitetit, rrënues për qeverisjen, deri nëpër bashki, nuk do qe fare keq që, përkundër këshillave të PD, qytetarët të votonin që i gjithë pushteti t’u kalonte “sovjetëve”!
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel