Bajern feston titullin e 25, Dortmundi kap Europën

23/05/2015 00:00

34 javë, 25 fitore, 4 barazime dhe 5 humbje 3 prej të cilave me titull të siguruar. Ky është Bajerni i sezonit 2014-2015 në Bundesligë.

Nën drejtimin e Pep Guardiola-s të gjithë prisnin më shumë, por dëmtimet ishin kryefjala e një viti futbollistik që kushtëzoi edhe paraqitjen në Europe të kampionëve të Gjermanisë.

Tripleta është ëndrra e drejtuesve dhe lojtarëve në Mynih, por për këtë ata duhet ta nisin fort nga sezoni ardhshëm.

Për këtë Guardiola refuzoi ftesën e Barcelonës për të ndjekur finalen e Berlinit dhe pas festës në Marienplatz do të mendojë për skuadrën dhe sezonin e ri.

Ndërkohë, sa i përket pjesëmarrjes në kupat e Europës, Vofsburg, Borusia M. dhe Leverkusen do të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve, Augsburg, Shalke dhe Borusia Dortmund do të luajnë në Ligën e Europës. Verdhezinjtë e Klopp-it, që nuk do t’i drejtojë më, kapën Europën falë finales së arritur në Kupën e Gjermanisë, trofe që do ta diskutojnë me Volfsburgun.

Sa i përket fundit të tabelës, beteja ishte më e ashpër. 4 skuadra ishin në garë javën e fundit dhe ajo që u vendos ishte rënia e Paderborn dhe Freiburg, ndërsa Hamburgu ka mundësinë e “play out” për të ruajtur rekordin si skuadra e vetme që nuk ka rënë asnjëherë nga Bundesliga.

Top Channel