Publikohen dokumentat sekrete të Bin Laden: “Harrojeni shtetin islamik, vrisni amerikanët”

20/05/2015 00:00

Në vitet e fundit të jetës së tij, gjatë fshehjes në Pakistan, Osama bin Laden ishte një njeri që tregonte njëkohësisht dashuri dhe interes për familjen e tij, ndërsa me gjakftohtësi bënte thirrje për vrasje masive të amerikanëve.

Kështu thuhet në disa dokumente të sekuestruara gjatë operacionit të forcave speciale Navy Seal që çoi në vrasjen e tij në 2 maj 2011.

Të mërkurën në mëngjes, me orën lokale, Drejtoria Kombëtare e Inteligjencës në Shtetet e Bashkuara publikoi një numër të papreçedent dokumentesh të gjetura në kompleksin në Abotabad.

Plot 103 dokumente, ato përfshijnë korrespondencën më sekrete mes Bin Laden dhe anëtarëve të familjes së tij, ato me liderët e tjerë të Al Kaedës, si dhe të rrjetit me grupe të tjera terroriste të botës islamike.

Gjithashtu, mes tyre janë edhe koleksione dixhitale të sheikut të terrorit, që konsistojnë në libra në gjuhën angleze dhe dokumente të qeverisë amerikane, që në total numërohen 266.

Në një letër tregohet obsesioni i Bin Laden për të sulmuar amerikanët, kur ai u thotë militantëve xhihadistë që “të mos insistojnë më për formimin e Shtetit Islamik, por të sulmojnë ambasadat amerikane në Sierra Leone dhe Togo, si dhe kompanitë amerikane të naftës”.

Sheiku i jepte këshilla të ngjashme edhe degës së Al Kaedës në Jemen, duke u sugjeruar që të shmangin sulmet ndaj policisë dhe ushtrisë jemenase dhe të konkretizonin sulme ndaj objektivave amerikanë.

Por shumica e këshillave të tij u injoruan nga këto grupe sepse anëtarët e Al Kaedës në Jemen dhe në Afrikën Veriore vazhduan të sulmonin zyrtarët lokalë, ndërsa ISIS as që ekzistonte në atë kohë.

Top Channel