Poroshenko: Ukraina ndodhet në luftë të vërtetë me Rusinë; duhet të jemi gati

20/05/2015 00:00

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko tha se vendi i tij ndodhet tani në një ‘luftë të vërtetë’ me Rusinë dhe se ukrainasit duhet të përgatiten për një ofensivë ruse.

“Nëse do të flisja hapur, kjo nuk është një luftë me separatistët rusë, por kjo është një luftë e vërtetë me Rusinë. Fakti që ne kemi kapur ushtarë rusë është një provë e fortë për këtë”, tha Poroshenko për BBC-në.

Kur u pyet nëse kishte frikë për ndonjë sulm nga Rusia gjatë verës, ai tha: Nuk kam frikë nga asgjë. Unë besoj se ata janë duke përgatitur një ofensivë dhe ne duhet të jemi të përgatitur. Por ne nuk do t’i japim atyre asnjë shans të vogël për provokim. Kjo do të jetë tërësisht përgjegjësi e tyre.

Petro Poroshenko shtoi se, pavarësisht se nuk beson te Putin, ai nuk ka zgjidhje tjetër vetëm se të besojë të diplomacia.

Të martën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje edhe një herë Rusisë t’i japë fund veprimeve ushtarake në kufirin me Ukrainën dhe i kërkoi Moskës të jetë ‘më transparente kur është fjala për aktivitetin ushtarak’.

Një marrëveshje armëpushimi u nënshkrua në muajin shkurt në Minsk mes palëve, por luftimet e ashpra kanë vazhduar që prej asaj kohe. Javën e kaluar, Presidenti i Ukrainës tha se të paktën 83 ushtarë ukrainas janë vrarë që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Rusia mohon akuzat e ngritura nga Perëndimi se ka dërguar trupa ushtarake në lindje të Ukrainës. Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 6 mijë njerëz janë vrarë që prej fillimit të konfliktit në prillin e vitit të kaluar. Rebelët pro-rusë kanë arritur të marrin zona të rëndësishme në lindje, ndërsa dhe ata e mohojnë se marrin mbështetje nga Moska. Ndërkohë roli i Rusisë është vënë sërish në pikëpyetje, pasi të shtunën dy persona u kapën në Ukrainë, për të autoritetet vendase thanë se janë ushtarë të elitës ruse dhe ndodheshin në lindje të Ukrainës.

Në një video të publikuar, dy personat e arrestuar konfirmojnë se janë ende aktivë në ushtrinë ruse, por Moska e hodhi poshtë këtë, duke thënë se kur ata janë kapur në kanë qenë pjesë e ushtrisë.

Top Channel