Ligji për arsimin parauniversitar, Komisioni i Medias e miraton bashkë me propozimet

20/05/2015 00:00

Propozimet e grupeve të interesit janë reflektuar në ndryshimet e ligjit të arsimit parauniversitar, i cili është miratuar në komisionin e medias dhe arsimit nga deputetët e mazhorancës.

Në treg do të ketë vetëm tre alternativa për një tekst, dhe emërimi apo shkarkimi i mësuesve do të bëhet me propozim nga një komision, i cili në përbërje do të ketë përfaqësues të drejtorisë arsimore, pushtetit vendor, prindër dhe mësues.

“Pra, ruhet alterteksti, por alterteksti i kufizuar deri në tre. Sepse ne kemi pasur raste që një tekst ka shkuar deri në 12 tekste dhe kjo ka sjell amulli qoftë tek nxënësit, qoftë tek mësuesit e kudo. Ndryshimet në nenin 60 ka të bëjë mbi emërimin e largimin e mësuesit”, tha Adelina Rista, deputete e PS

“Kemi përcaktuar që përfaqësuesi i prindërve do të jetë patjetër në komisionet e emërimit të mësuesit. Po sigurisht që kjo pastaj do të ketë një rregullim të posaçëm referuar specifikave rajonale dhe të çdo institucioni arsimor”, u shpreh Plarent Ndreca, sekretar i përgjithshëm i MAS.

“Garancitë për një përzgjedhje meritore, dhe një lirim nga detyra të justifikuar të mësuesve, të kenë normën përkatëse në ligj. Dhe heqja e procedurave dhe lojtarëve në këtë proces, si të pranimit në punë, ashtu dhe të lirimit, të mos hiqen nga ligji. Por të mbeten si një garanci që duhet, sidomos në këtë fazë që ne po kalojmë dhe me problemet që kemi hasur”, tha kryetari i Komisionit të Medias, Genc Pollo.

Pas disa debatesh, ministria e Arsimit ka reflektuar propozimet e grupeve të interesit, të cilat ishin të lidhura me alterteksin por edhe me mënyrën e emërimit dhe të shkarkimit të mësuesve.

Top Channel