Ferrari dikur nuk ka qenë “Ferrari”. Arrivabene: Ja si e rindërtova skuadrën

20/05/2015 00:00

Maurizio Arrivabene mund të ketë kontribuar shumë më pak se Sebastian Vettel, në fitoren e parë të tij me Ferrarin. Por, kaq ka mjaftuar për të dalë nga “hija”, ku ka punuar për më shumë se 20 vite.

I fuqishëm mes të fuqishmëve, gjithnjë i ulur nëpër tryezat mes njerëzve më të rëndësishëm të Formula 1, por kurrë më parë në vëmendjen e kamerave.

I njohur nga të gjithë ata që kishin lidhje me këtë sport, por i panjohur për të gjithë të tjerët që ndiqnin garat e automobilizmit. E megjithatë, me t’u veshur me të kuqen karakteristike të Ferrarit, duke marrë edhe përgjegjësinë e sektorit sportiv të Maranellos, ka shpërthyer.

Nuk ka asnjë media që të mos ketë transmetuar fjalët e tij, të ashpra, ndonjëherë therëse, por kurrë banale. Aq sa pas fundjavës së parë mori menjëherë pseudonimin “Mauri i hekurt”.

Por kush është Maurizio Arrivabene? Këtë e ka treguar vetë ai, teksa ka hyrë për herë të parë me telekamerat e drejtuara nga ai në Zyrën Sportive të Maranellos. Në mure, si sfond, nuk kishte fotografi pilotësh, por fraza të shprehura nga Enzo Ferrari, të cilat flasin qartë mbi njeriun e panjohur Arrivabene.

I vetmi tolerim, një foto e tij me të bijën, duke e përqafuar dhe një fanellë e Juventusit, për të cilin bën tifo dhe është edhe anëtar i komitetit drejtues.

“Jam një njeri normal, i mësuar që në fëmijëri me frymën e arritjes në këtë fazë, për t’u bërë ky që jam, por edhe për të punuar për atë që do të doja të isha. Jam normal si gjithë të tjerët, por që nuk hezitoj aspak të them atë që mendoj, gjë që në një botë të dominuar nga ekuilibra politikë mund edhe të të ndëshkojë”, rrëfen ai.

E teksa përshkruan atë që gjeti kur hyrë në Maranello për herë të parë, shprehet:

“Nuk ishte më një skuadër. Kur mbërrita, konfirmova edhe njëherë reagimet negative që më kishin treguar njerëzit në sipërmarrjen ku punoja më parë, që kishte lidhje të ngushta me Maranellon. Kur erdha këtu nuk e kisha imagjinuar kurrë situatën ashtu siç e pashë. Njerëz të shkatërruar dhe të pamotivuar, të fshehur nëpër pozicionet e tyre për të mbrojtur vetveten, një skuadër e copëtuar. Objektivi im i parë ishte t’i bashkoja të gjitha copat, t’i rendisja sipas rëndësisë dhe t’i motivoja të gjithë”.

Më pas… “të gjithë së bashku nisëm të flisnim për projektin, i cili nuk do të ishte i dikujt, i dy apo tre personave, por i të gjithëve”, përfundon deklaratën e tij Arrivabene.

Top Channel