17-vjeçarja martohet me forcë me shefin e policisë, Moska: S’merremi me martesat

19/05/2015 00:00

Martesa e një vajze 17-vjeçare me shefin e policisë së Çeçenisë, një burrë rreth të 50-ave, ka cekur kufijtë e skandalit pas “bekimit” edhe prej zyrtarëve të Moskës.

Nazhud Guchigov, një 47-vjeçar, drejtues rajonal i policisë, i famshëm në vend për metodat e tij brutale të ruajtjes së rendit dhe qetësisë, mohoi akuzat se ka detyruar familjen e 17-vjeçares Luiza Goyalbiyeva për t’u martuar me të.

Rasti u bë i famshëm prej gazetares dhe aktivistes për të drejtat e njeriut, Yelena Milashina. Ajo thotë se para se të ndodhte martesa, banorët e fshatit, ku jetonte 17-vjeçarja i kishin kërkuar ndihmë. Ata i thanë gazetares se 17-vjeçarja po martohej kundër dëshirës së vet dhe se prindërve të saj u ishte dhënë një ultimatum, ose të pranonin martesën, ose vajza do t’u rrëmbehej me forcë.

Fillimisht, Guchigov mohoi zërat se kishte në plan të martohej me vajzën, por më pas martesa u konfirmua nga zyrtarët çeçenë.

Javën e shkuar, 17-vjeçarja deklaroi se po martohej me dëshirën e vet, por aktivistë të të drejtave të njeriut pohojnë se vajza mund të jetë detyruar që të thotë kështu.

Guchigov thotë se martesa e tij e parë ishte jozyrtare dhe se është ndarë me gruan para martesës së të shtunës me 17-vjeçaren.

Gazetarja Milashina udhëtoi drejt Çeçenisë, por u detyruar të kthehej mbrapsht pas paralajmërimeve se oficerë policie ishin vënë në ndjekje të saj e për këtë i rrezikohej jeta.

Skandali merr përmasa akoma më të mëdha kur dihet që në Rusi mosha minimale për martesë është 18 vjeç, e për më tepër edhe reagimi i Kremlinit.

“Nuk merremi me martesat”- ishte deklarata e një zëdhënësi të Presidentit Vladimir Putin kur u pyet mbi rastin në fjalë.

Sipas analistëve, Moska bën “një sy qorr e një vesh shurdh” për shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut në Çeçeni e në këmbim merr shërbimet e udhëheqësit çeçen në luftën kundër separatistëve dhe grupeve radikale fetare në rajon.

Top Channel