Hamilton kundër tabusë “Monaco”

18/05/2015 00:00

Çmimi i Madh i Monaco-s po afron dhe Lewis Hamilton kërkon hakmarrje ndaj Nico Rosberg, pas fitores së këtij të fundit në Çmimin e Madh të Spanjës. Një triumf në Montecarlo, do ta afronte anglezin edhe me shumë me titullin e dytë rradhazi, ndërsa do thyente tabunë “Principatë”, ku në të kaluarën ka regjistruar vetëm një fitore, dhe atë para shtatë vitesh.

“E di se nuk fitoj në Monaco prej shumë kohësh, dhe kjo është një motivim shtesë për mua. Në dy vitete e fundit kam pasur një makinë të aftë për të fituar, por nuk ia kam arritur për arsye që ju i dini. Shpresoj shumë që këtë herë fati të jetë me mua”-, është shprehur piloti i Mercedes.

Pavarësisht se në podiumin e Çmimit të Madh të Spanjës ishte i dyti, Hamilton nuk e konsideron si një hap mbrapa, dhe aq më pak një krizë, pasi anglezi thotë do rikthehet shpejtë te fitorja.

“Kam lexuar disa artikuj se duhet të zgjohemi. Jam habitur, sepse fitorja ime e fundit daton një garë para Çmimit të Madh të Spanjës. Në Montmelo nuk ishte fundjava ime perfekte, por u përpoqa që të limitoja dëmet. Në jetë nuk mund të fitosh gjithmonë, por më e rëndësishme është që në këtë garë kam dhënë maksimumin”-, deklaroi Hamilton.

Top Channel