Kashar, një viktimë dhe një e plagosur, për prishje krushqie

17/05/2015 00:00

Lutfi Xhaferri, 59 vjeç, u vra mëngjesin e kësaj të diele në periferi të Tiranës, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Naime Xhaferri, 55 vjeç, mbeti e plagosur.

Autor i krimit, sipas Policisë së Tiranës është 39-vjeçari, Altin Aluku, i cili është shpallur në kërkim, ndërsa policia deklaron se ka vendosur në dispozicion 5 mijë euro për këdo që jep informacion, për arrestimin e tij.

Ngjarja ndodhi në Kashar kodër, në lagjen “17 Maji”. Altin Aluku, sipas policisë ka qenë i fejuar me vajzën e viktimës, ndërkohë që prindërit dyshohet që të kenë ndikuar, që ajo të ndahej prej tij për t’u fejuar me një person tjetër, për t’u larguar më pas në Itali.

Në derë të shtëpisë së Xhaferrit, ish-dhëndrri, sipas dëshmitarëve ka debatuar fillimisht me të, duke i kërkuar llogari, e më pas ka qëlluar në drejtim të çifit me armë zjarri, duke vrarë 59-vjeçarin e duke plagosur në dorë bashkëshorten e tij.

Gjatë orëve të mbrëmjes, policia ka bërë të ditur se ka arrestuar në flagrancë babain e autorit të dyshuar, shtetasin Skënder Aluku, 66 vjeç, banues në fshatin Kashar, pasi gjatë kontrollit të banesës janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 170 copë fishekësh.

Gjithashtu, Policia e Tiranës ka ngritur menjëherë një plan masash emergjentë duke mobilizuar mbi 150 forca policie, të cilat bën të mundur rrethimin e zonës ku dyshohej se ndodhej autori. Ndërsa operacioni është ende duke vazhduar.

FOTO GALERI
1/1
Altin Aluku, personi i dyshuar si autor i ngjarjes

Top Channel