Plas te Reali, Ramos: Ronaldo luan vetëm për golat e tij

16/05/2015 00:00

Eliminimi nga Juventusi në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve dhe barazimi me Valencian, që i dha mundësinë Barcelonës për të vendosur njërën dorë në trofeun e titullit kampion në Spanjë, ka trazuar ujërat, edhe ashtu të turbullta tek Reali i Madridit.

Disa media spanjolle shkruajnë për një krisje të fortë mes Sergio Ramos dhe Cristiano Ronaldo. Sipas madrilenes “El Chiringuito”, Ramos ka kritikuar fort Ronaldon në ndeshjen e parë me Juventusin në Torino, të cilën madrilenët e humbën 2-1. Ronaldo shënoigolin për madrilenët, por kjo nuk mjaftoi për t’i shpëtuar kritikave të Ramosit.

“S’mund thjesht të shënosh golin tënd të pavlerë dhe mos të të interesojë pjesa tjetër. Duhet të sakrifikosh më shumë për skuadrën”- mësohet t’i ketë dhënë në përfundim të ndeshjes Ramos Ronaldos, gjithnjë sipas “El Chiringuito”.

I njëti burim thotë se kulmi ka mbërritur në ndeshjen e kthimit në Madrid, ku skuadra e drejtuar nga Ancelotti barazoi 1-1 me bardhezinjtë e Allegri-t, e për pasojë humbi biletën për në finalen e Berlinit, ku e priste Barcelona.

Mesa duket Ramos-it nuk i pëlqeu gjesti i Ronaldo-s pas shënimit të golit me penallti dhe mediat madrilene shkruajnë se ai është mjaft “i inatosur me rritjen e vazhdueshme të arrogancës së Ronaldos”.

Top Channel