Sarkozy, objekt talljesh në seancën pyetje-përgjigje në Twitter

15/05/2015 00:00

Ish-Presidenti francez, Nicolas Sarkozy mori një valë komentesh tallëse në lidhje me problemet e tij me drejtësinë, teksa nisi këtë të premte një seancë të rrallë komunikimi në Twitter me pyetje-përgjigje nga dhe ndaj ndjekësve të tij.

Gjatë qëndrimit online për rreth 1 orë e gjysmë, ndjekësit e tij mësuan se ai ka një mace dhe një qen, si dhe se është i dashuruar pas sezonit të tretë të shfaqjes televizive “Homeland”, megjithatë, shumica e pyetjeve ishte e fokusuar tjetërkund.

Duke i bërë jehonë faktit se, hetimet nga drejtësia, që rrethojnë atë dhe ish-këshilltarët e tij, do të mund të errësojnë rikthimin e tij në politikë, Sarkozy u përball me një valë “cicërimash” në lidhje me çështje si “Bygmalion”, një kompani organizuese eventesh, e cila dyshohet për mbifaturime, në mënyrë që të rriste fshehurazi paratë për fushatën e tij zgjedhore.

Sapo ky sesion komunikimi u njoftua, dhjetëra francezë “zunë radhën” në Twitter për ta pyetur ish-Presidentin për shumë çështje, përfshi edhe vendimin e tij për ta quajtur partinë konservatore si “Republikanët”, por edhe financimin e fushatave të tij politike.

Reagimi publik ishte i tillë, saqë disa medie lokale e konsideruan operacionin e “marrëdhënieve me publikun” si një dështim, që përpara sesa Sarkozy të niste përgjigjet ndaj pyetjeve, teksa një postim i një ndjekësi shfaqte një foto të dikujt që po “kërkonte gjilpërën në kashtë”, të shoqëruar me komentin ironik se “dikush në ekipin e Sarkozysë e ka gjetur tashmë…”

Sarkozy, i cili u tërhoq nga politika pasi humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 kundrejt socialistit Francois Hollande, u rikthye vitin e kaluar në krye të partisë kryesore opozitare, asaj konservatore.

Megjithatë, magjistratët franceze vendosën javën e kaluar se autoritetet kishin vepruar në mënyrë të ligjshme gjatë përgjimit të telefonit të tij, si pjesë e hetimeve për akuzat e influencës së paligjshme, duke i dhënë kështu një goditje potenciale shpresave të tij për të kandiduar për President në vitin 2017.

E megjithatë, Sarkozy mohon të ketë shkelur ligjin në ndonjë rast.

Top Channel