NBA, Cleveland Cavaliers kalon në finalen e Konferencës së Lindjes

15/05/2015 00:00

Cleveland Cavaliers është skuadra e parë finaliste në Konferencën e Lindjes në NBA. Cavaliers fituan ndeshjen e gjashtë ndaj Chicago Bulls me rezultatin 94-73 për të mbyllur serinë e përballjeve me rezultatin 4-2.

Edhe pse pa Kevin Love dhe me Kyrie Irving jo në gjendjen e tij më të mirë, Cleveland arriti të dalë i fituar nga parketi i United Center të Chicagos, për t’u kthyer në një finale të tillë pas 6 vitesh. LeBron James shënoi 15 pikë, rrëmbeu 9 topa në tabelë dhe dha 11 asist në këtë takim, por zbulimi i kësaj sfide ishte australiani i Bulls-ave, Matthew Dellavedova, i cili e mbylli këtë takim me 19 pikë personale. Derrick Rose e mbylli këtë sfidë me 14 pikë të shënuara, që ishin shumë pak për Chicago Bulls për të evituar disfatën.
 
Ndërkohë, në Konferencën e Perëndimit, skuadra që do të kalojë në finale mes Los Angeles Clippers dhe Houston Rockets do të përcaktohet në ndeshjen e shtatë. Skuadra teksane fitoi sfidën e gjashtë me kalifornianët 119-107, duke barazuar serinë e ndeshjeve në 3-3. Sfida u zhvillua në Staples Center dhe deri në periodën e tretë ishte Los Angeles Clippers skuadra që kryesonte, madje me 13 pikë diferencë. Në dy periodat e fundit situata ndryshoi në favor të Houston, me skuadrën teksane që arriti rezultatin e pjesshëm 40-15 për të siguruar këtë fitore.

James Harden spikati për Houston me 23 pikë të shënuara, ndërsa për Clippers, Chris Paul e mbylli ndeshjen me 31 pikë dhe 11 assist, shifra këto që vetëm sa i shërbyen për statistikat personale.

Top Channel