Korçë, zhdukja e dy vajzave, familjet në ankth; ende asnjë gjurmë

15/05/2015 00:00

Zhdukja e dy vajzave të mitura, 14 dhe 15 vjeç, që prej së martës në qytetin e Korçës, është duke mbajtur në ankth familjet e tyre.

Sipas të dhënave të policisë, familjarët kanë denoncuar zhdukjen e vajzave të tyre të mitura, shoqe me njëra-tjetrën, por pavarësisht kërkimeve, për to nuk ka asnjë informacion.

Banore të lagjes numër 10 të qytetit dhe nxënëse në shkollën 9-vjeçare “Pandeli Cale”, pasi kanë mbaruar mësimin më datë 12 maj, Kristina Zeqollari, 15 dhe Erigersa Dulellari 14 vjeç, kanë shkuar në shtëpi normalisht dhe në orarin e caktuar kanë dalë nga banesat për të shkuar njëra në kursin e baletit e tjetra në atletikë.

Dy të rejat kishin dalë të veçuara njëra nga tjetra dhe që prej atij momenti nuk janë kthyer më në banesat e tyre. Të alarmuar nga vonesa, prindërit kanë kontaktuar të gjithë të afërmit e tyre në pritje për të zbuluar diçka për vajzat, por askush nga të afërmit nuk ka pasur dijeni apo kontakt me to.

Vajzat, të cilat ishin shoqe shkolle, sipas prindërve shpesh shoqëroheshin me njëra-tjetrën edhe pse nuk frekuentonin të njëjtën klasë, por duke qenë se ishin banore të së njëjtës lagje kalonin kohë së bashku.

Mungesa e tyre fillimisht ka ngjallur shqetësimin e prindërve, të cilët me kalimin e orëve kanë kërkuar ndihmën e policisë. Andiola, motra e Erigersa Dulellarit, me shqetësim tregon se trembet për motrën e saj, ndërsa apelon që të gjendet 14-vjeçarja.

Nga ana tjetër, për Kristina Zeqollarin, ky largim nga shtëpia nuk është i pari. Thuajse dy vite më parë e mitura së bashku me dy shoqe të tjera u largua nga shtëpia dhe u gjet në një hotel në kryeqytet.

Nëna e saj apelon që të zbulohet se çfarë ka ndodhur me vajzën e saj. Lidhur me këtë ngjarje, policia e Korçës ka nisur hetimet dhe po punohet për gjetjen e tyre dhe zbardhjen e çështjes.

Top Channel