ISIS hidhet në ofensivë në Irak, merr qytetin e Ramadit

15/05/2015 00:00

ISIS ka marrë kontrollin e qytetit të Ramadit në Irak, i konsideruar deri më tani si një fortesë e forcave qeveritare në perëndim të vendit.

Zyrtarët irakianë konfirmojnë lajmin për mediat ndërkombëtare. Sipas dëshmive, militantët ekstremistë kanë marrë kontrollin e godinës së guvernatorit dhe atë të policisë, pas një serie shpërthimesh me autobomba. Raportohet gjithashtu se të paktën 50 punonjës të sigurisë mund të jenë marrë peng prej ISIS.

Ramadi është kryeqyteti i provincës më të madhe të Irakut, Anbarit dhe që prej shtrirjes së tentakulave të xhihadistëve në territoret irakiane ka qenë shesh-betejash të shumta mes militantëve dhe forcave qeveritare.

Korrespondenti i BBC-së, Ahmed Maher thotë se ISIS kontrollon më shumë se gjysmën e Anbarit. 

Marrja e Ramadit mbërrin një ditë pas lëshimit të një mesazhi audio, ku pretendohet se flet lideri i grupit terrorist, Abu Bakr al-Baghdadi, i cili nëse konfirmohet, është mesazhi i parë i këtij lloji gjatë këtij muaji.

Al-Baghdadi i bën thirrje myslimanëve që të marrin armët dhe të emigrojnë në kalifatin e shpallur nga ISIS në zonat e Sirisë dhe të Irakut.

Analistët janë shprehur se zëri duket se është i Al-Baghdadi-it, por deri tani nuk ka pasur ende një konfirmim zyrtar.

Fati i liderit të ISIS është i paqartë mes raporteve të sulmeve ajrore nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër bazave të terroristëve.

“Nuk ka asnjë justifikim për asnjë mysliman për të mos emigrua në shtetin islamik. Bashkimi në këtë luftë është detyrë për çdo mysliman. Ne po ju bëjmë thirrje ju ose të bashkoheni ose të luftoni kudo ju jeni”, thuhet në mesash.

Në një mesazh të fundit të Ministrisë së Brendshme irakiane thuhej se Al-Baghdadi ishte plagosur rëndë në një sulm ajror të koalicionit në muajin Mars. Megjithatë, nga raporte të tjera duket se ky lajmi ishte i pasaktë.

Top Channel