Gjykata Speciale, sërish debate mes ekspertësh juridikë

15/05/2015 00:00

Pak ditë para se Kuvendi i Kosovës të votojë ndryshimet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës, ekspertë dhe njohës të çështjeve penale të krimeve të luftës vlerësojnë se, Kosova ndodhet përballë presionit të madh politik ndërkombëtar.

Prokurori, që e ka ndjekur penalisht ish-Presidentin serb Sllobodan Millosheviç për krimet, që ai ka urdhëruar të kryhen në Kosovë, tha të premten në Prishtinë se, edhe në kohën e Hagës është folur për trafikimin e organeve, por askush nuk ka mundur të gjejë ndonjë fakt, prandaj tha ai, nuk janë zhvilluar hetime.

Ai shtoi se, tanimë është e qartë që të gjithë miqtë kryesorë të Kosovës janë pro formimit të gjykatës, për t’i gjykuar pretendimet e rezolutës së Këshillit të Evropës. Prandaj, ish-prokurori Nice i sugjeroi politikës kosovare, që të negociojë përfitimet në raport me vendimin që po merr, për të formuar Gjykatën Speciale.

“Themelimi i një gjykate të tillë do të ishte diçka e jashtëzakonshme për çdo shtet tjetër, dhe pse jo edhe për shtetin tuaj. Normalisht, ndaj dhe ekziston presioni që është ushtruar mbi qeverinë dhe Parlamentin tuaj, që ky tribunal të themelohet dhe të funksionojë. Ajo me të cilën po përballeni është një ngarkesë politike, për të cilën ndoshta mua nuk më përket të jap qëndrime, sepse përfitimet për Kosovën në këtë rast, në raport me kërkesat e komunitetit ndërkombëtar mund të jenë mjaft të konsiderueshme. Mund të jetë ndoshta pranimi në Këshillin e Evropës, apo ndonjë anëtarësim tjetër”, tha Sir Geoffrey Nice, ish-prokuror i Tribunalit të Hagës.

Në debatin e organizuar nga “Fridrih Ebert Stiftung” u tha se, për formimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka punuar aktivisht edhe Serbia.

“Serbia është shumë e kënaqur me formimin e Gjykatës Speciale. Është duke bërë fushatë kundër Kosovës. Gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë shumë e interesuar, që të shohë themelimin e këtyre dhomave të specializuara. Unë shoh se, të gjitha institucionet kanë qenë gati të instrumentalizuara dhe mund të them se ajo e ka arritur suksesin. Mund t’i kuptoj emocionet tuaja lidhur me këtë gjykatë, por për mua është shumë e vështirë të jap komente, e megjithatë them se ajo gjykatë nuk duhet të jetë vetëm për një objektiv”, tha Sonja Biserko, “Human Rights”, “Serbi 4-55”.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha se, miratimi i Gjykatës Speciale për Kosovën nënkupton heqje dorë nga një pjesë e rëndësishme e sovranitetit.

“Po tentohet, që të krijohet një gjykatë etnike. Askush nuk është kundër, që të krijohet një tribunal, që do t’i hetojë të gjitha krimet e luftës në Kosovë. Mirëpo këtu po bëhet një gjykatë etnike, enkas dhe vetëm për shqiptarët”, tha Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes.

Të ftuar për të diskutuar për Gjykatën Speciale, në këtë debat ishin edhe përfaqësues të qeverisë, por që nuk kanë marrë pjesë.

Top Channel