Rusia, stërvitje ushtarake me Kinën dhe Indinë. Kundër qëndrimit agresiv të NATO-s

13/05/2015 00:00

Forcat tokësore ruse do t’u bashkohen atyre nga Kina, India, Mongolia dhe Bjellorusia, në një seri stërvitjesh të përbashkëta ushtarake gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, njoftoi zyra e Presidentit rus, Vladimir Putin, këtë të mërkurë.

Njoftimi është publikuar pasi Putin është takuar me drejtues të lartë ushtarakë rusë në rezortin e detit të Zi të Sochit, si dhe pritet të nxisë nervozizëm në kryeqytetet e Perëndimit, marrëdhëniet e të cilëve me Moskën janë përkeqësuar së tepërmi për shkak të krizës tashmë njëvjeçare të Ukrainës.

Moska është prirur gjithnjë e më shumë kohët e fundit për të ndërtuar marrëdhënie më të ngushta ekonomike dhe të sferave të tjera me gjigantët e Azisë, Kinën dhe Indinë, që kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian vendosën sanksione ndaj Rusisë vitin e kaluar, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Stërvitjet e përbashkëta ushtarake do të kenë në fokus aktivitete paqeruajtëse dhe antiterroriste, thuhej në deklaratën e publikuar. Stërvitje të ngjashme janë planifikuar edhe me trupa nga vendet anëtare të “Organizatës kolektive të Traktatit të Sigurimit”, ODKB, në të cilën bëjnë pjesë Rusia dhe disa ish-republika sovjetike, si Kazakistani, Armenia dhe Kirgistani.

Rusia ka planifikuar gjithashtu edhe stërvitje të tjera për Forcat e Armatosura gjatë këtij viti, pjesë e përpjekjeve për të kundërshtuar atë që Moska e konsideron si një qëndrim agresiv dhe antirus të NATO-s.

Top Channel