Kroaci, dygolësh i Sokol Cikalleshit

13/05/2015 00:00

Sulmuesit e Kombëtares shqiptare vazhdojnë të shkëlqejnë. Sokol Cikalleshi ka realizuar dygolësh me skuadrën e tij RNK Split, në çerekfinalen e Kupës, duke i siguruar fitoren 2-0 ndaj ekipit të Solin.

Goli i parë për bomberin e Kombëtares kuqezi erdhi në minutën e 27, ku me një goditje “panenka”, jo vetëm që ka shënuar për epërsinë minimale të RNK Split, por ka dhuruar edhe spektakël për tifozët e pranishëm në stadium.

Ndërkohë, kur luhej minuta e 52-të, pas një aksioni të shpejtë, Cikalleshi ka shënuar duke dyfishuar rezultatin, 2-0. Këto dy gola tregojnë për një vazhdimësi të ish-lojtarit të Kukësit së fundi, që pas ndeshjeve të mira i jep një qetësi edhe trajnerit De Biazi.

Në minutën e 77, trajneri i RNK Split ka vendosur që ta zëvendësojë Cikalleshin, duke i dhënë disa minuta edhe lojtarit të ri Samac. Me dy golat e shënuar, Sokol Cikalleshi u shpall edhe njeriu i ndeshjes.

Top Channel