Vodhi 5 milionë euro, arrestohet mbledhësi i borxheve të CEZ-it

12/05/2015 00:00

Policia e Tiranës ka arrestuar gjatë së martës shtetasin Kastriot Ismailaj, administrator i një kompanie private, që mblidhte borxhet e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike, CEZ, tashmë OSHEE. Ai akuzohet për pastrim parash në vlerën e miliona eurove.

Arrestimi i 52-vjeçarit është bërë me vendim gjykate, e cila në mungesë dha masën e sigurisë  “Arrest me burg“ për veprat penale të “Mashtrimit në shuma të mëdha” dhe “Pastrimit të produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”.

Bëhet e ditur se Ismailaj, nëpër krijimit të shoqërive fiktive në shtete si  Gjibraltar, Zvicër, Kongo, Lihtenshtein, Luksenburg etj, ka pastruar më se dhjetë milionë dollarë.

Pak ditë më parë Gjykata vendosi sekuestro për pasurinë e Ismailajt, të cilit u sekuestruan llogari bankare në bankat e nivelit të dytë në Tiranë me vlerë 3.4 milionë euro.

Veç të tjerash, nëpërmjet kompanisë që kishte krijuar, sipas Prokurorisë, Ismailaj ka përdorur të dhëna të rreme dhe dokumente fiktive, duke përfituar në mënyrë të paligjshme shumën prej 512 milionë lekësh, duke i shkaktuar pasoja të rënda shoqërisë “CEZ Shpërndarje”. Për pasojë, dëmi i është shkaktuar dhe shtetit shqiptar, i cili ka zotëruar 26% të aksioneve të kësaj shoqërie. Këto para, Ismailaj nuk i ka përdorur për realizimin e kontratës, por i ka transferuar jashtë vendit për qëllime personale.

Top Channel