Vidal: Dua të shënoj në Madrid

11/05/2015 00:00

Të mërkurën luhet akti i dytë i gjysmëfinales Real-Juve, dhe në kampin e bardhezinjve janë shumë optimistë. Arturo Vidal beson se janë shumë afër finales, por kërkon nga shokët e skuadrës që të jenë të përqendruar.

“Jemi shumë pranë finales, jemi skuadër me potencial dhe duam t’i shkojmë deri në fund Champions-it. Të luash kundër Realit, aq më tepër në ‘Santiago Bernabeu’, është shumë e vështirë, por ne do shkojmë atje dhe do luajmë me zemër”-, shprehet Vidal.

Kiliani thotë se kualifikimi në finale është shumë i rëndësishëm, por do jepte gjithçka për të shënuar një gol në kryeqyetin spanjoll. “Ne duam të shkojmë në finale dhe kjo është më e rëndësishme se gjithçka tjetër, por nëse do shënoja një gol atje, do ishte një gjë e jashtëzakonshme, madje do jepja gjithçka për këtë moment”-, deklaroi ai.

Mesfushori i “zonjës” pret nga “galaktikët” që të sulmojnë nga minuta e parë, dhe kjo mund të jetë çelësi i fitores për ta. “Besoj se Reali nga minuta e parë do sulmojë. Duke dalë shumë para, mund të lënë hapësira mbrapa dhe ne duhet që mundësitë që na jepen t’i shfrytëzojmë”-, tha Vidal.

Këtë vit, kiliani ka pasur jo pak probleme, duke përfshirë edhe dëmtimet, por mendon se gjithçka ka kaluar. “Njerëzit ndonjëherë nuk e kuptojnë çfarë sakrifica bëj unë. Ka qenë një vit shumë i vështirë për mua, por gjithçka i përket së kaluarës. Aktualisht jam në formë të mirë dhe 100% gati për Juven”-, vazhdoi mesfushori.

Në fund, nuk mungojnë fjalët e mira as për Allgerin, me të cilin mund të fitojnë tripletën këtë vit. “Stili i lojës së Allegrit është shumë ndryshe nga ai i Conte-s, por ne ia kemi dalë shumë mirë. Jemi në lojë edhe për dy trofe të tjerë, dhe do japim gjithçka për të përmbyllur me tripletën”-, u shpreh Vidal.

Top Channel