Incidenti i Ersekës, “arrest me burg” për Suel Liçon

10/05/2015 00:00

Gjykata e Korçës ka lënë në burg 27-vjeçarin Suel Liço, i cili pak ditë më parë hodhi një karrige në drejtim të turmës gjatë një takimi elektoral të PD-së në Ersekë, ku ishte i pranishëm edhe kreu i PD-së Lulzim Basha.

Në seancën e zhvilluar për përcaktimin e masës së sigurisë ndaj 27-vjeçarit, si pasojë e veprimit të të cilit mbeti i plagosur edhe një 74-vjeçar, Prokuroria e Korçës ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, pasi sipas saj nga hetimi ka rezultuar se Suel Liço, nga një lokal i qytetit ka hedhur një karrige në drejtim të turmës, që ishte mbledhur për takimin ku PD-ja do të prezantonte kandidatin e saj për Bashkinë e Ersekës.

Prokuroria ka kërkuar një masë të rreptë sigurie për 27-vjeçarin, ndaj të cilit rëndon akuza e “pengimit me dhunë të veprimtarisë të partive politike”, duke e konsideruar atë një person me rrezikshmëri të lartë. Nga ana tjetër, mbrojtja, duke pranuar veprimin e 27-vjeçarit, nën argumentin se ai ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike ka kërkuar një masë më të lehtë, atë të “arrestit në shtëpi”.

Pasi ka dëgjuar argumentet e secilës palë, gjykata ka vendosur që 27-vjeçari të lihet nën masën “arrest me burg”, ndërkohë që ndaj tij do të nisë gjykimi i drejtpërdrejtë, pasi hetimi i organit të akuzës ka përfunduar.

Top Channel