Skënderbeu vendos njërën dorë tek trofeu i titullit kampion, pas barazimit pa gola të arritur me skuadrën e Tiranës në “Qemal Stafa”.
Ndeshja ishte treni i fundit i Tiranës në luftën për titull për këtë sezon, por pavarësisht përpjekjeve të bardhebluve për të dalë me 3 pikët nga fusha e lojës, rezultati nuk ka ndryshuar.
Pas këtij barazimi, Skënderbeu ngjitet në kuotën e 73 pikëve, ndërkohë që bardheblutë humbin edhe vendin e dytë, ku tashmë radhitet skuadra e Kukësit që fitoi më herët 2-3 në Durrës përballë Teutës.
Durrsakët e shohin veten në zonën e rrezikut, pas fitores 4-1 të Apolonisë së Fierit ndaj Elbasanit të vendit të fundit. Pas këtij rezultati, fierakët ngjiten në kuotën e 25 pikëve, një më pak se Teuta.
Ndërkohë, në Vlorë Partizani mori një fitore minimale përballë Flamurtarit vendas dhe mban ende në gjallë shpresat për pjesëmarrje në kupat e Europës.
Ndeshja me më pak interesa sa i përket pozicionimit në tabelë, ajo mes Vllaznisë dhe Laçit në Shkodër u mbyll me fitoren 1-0 të kurbinasve.
Top Channel