Aksidentohet familja në Elbasan, 5 të plagosur

09/05/2015 00:00

Një aksident me pasojë plagosjen e pesë personave, tre prej të cilëve në
gjendje më të rëndë, ka ndodhur pasditen e së shtunës në aksin rrugor
Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur Kthesat e Murrashit.

Mjeti tip “Audi” ka dalë nga rruga duke u përplasur me një autobus me turistë të Malit të Zi, të cilët shkonin drejt Maqedonisë.

Policia në vendin e ngjarjes nisi menjëherë hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, ndërsa transportoi për në spitalin kirurgjik të Elbasanit pesë persona, të cilët ndodheshin në mjetin tip “Audi”, që të gjithë anëtarë të një familjeje.

Mësohet nga burime spitalore se tre prej tyre janë më rëndë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Nga shkrimi “shofer i ri” në xhamin e pasëm të mjetit tip “Audi”, dyshohet se mungesa e aftësisë për të drejtuar mjetin dhe shpejtësia kanë shkaktuar aksidentin e rëndë.

Top Channel