F1, Vettel: Risitë janë pozitive, por Mercedesët janë ende të fortë

08/05/2015 00:00

“Mercedesët janë ende shumë të shpejtë. Çdo herë që dalin për xhiro të shpejta, qoftë me goma të forta, ashtu dhe me të tjerat, kanë qenë absolutisht më të mirët. Megjithatë, sot është e premte, do të presim kualifikueset për ‘pole position’ dhe më pas garën e së dielës”.

Këto janë fjalët e para të pilotit gjerman të Ferrarit, Sebastian Vettel, pas sesionit të dytë të provave të lira, në pistën spanjolle të Montmelosë. Gjermani, 4 herë kampion bote, ka pranuar gjithsesi që dita e sotme ka qenë disi “e komplikuar”.

“Rrëshqisnim shumë në pistë, për pasojë është e vështirë të drejtosh njëvendëshen – ka shtuar më tej Seb, duke folur mbi modifikimet e bëra ndaj ‘kokëkuqes’ enkas për garën e Spanjës. – Le të themi që pjesët e reja nuk të paktën nuk kanë krijuar probleme, kështu që gjithçka ka shkuar siç e prisnim”.

Edhe Kimi Raikkonen është shfaqur jo shumë optimist, të paktën jo për një ditë ‘të madhe’. “Ishte një ditë e vështirë, rrëshqisnim shumë –  ka shtuar finlandezi. – Kohët e xhirove nuk janë shumë të këqija, por nuk jam edhe shumë i kënaqur nga makina. Ka ende shumë punë për të bërë, por është normale për një ditë të premte. Do të shohim se çfarë do të ndryshojë deri nesër”.

Provat zyrtare për Çmimin e Madh të Spanjës, në Montmelo, do të zhvillohen ditën e shtunë, në orën 14:00, ndërsa gara të dielën, në të njëjtën orë, të cilat mund t’i ndiqni në Top Channel dhe Top Channel HD.

Top Channel