Playoff-i në NBA, Cleveland dhe Houston barazojnë seritë

07/05/2015 00:00

Houston Rockets vendosi ekuilibrin në përballjen me Los Angeles Clippers në fazën gjysmëfinale të Konferencës së Perëndimit në NBA. Në Toyota Center, skuadra teksane arriti t’i imponohej asaj nga Kalifornia duke e fituar përballjen e dytë me rezultatin 115-109, për të barazuar serinë e ndeshjeve në 1-1.

Protagonisti i Houston në këtë takim u bë pikërisht James Harden, i cili e mbylli takimin me 32 pikë të shënuara, 16 nga të cilat vetëm në periodën e katërt. Për Los Angeles Clippers këtë radhë u ndje mungesa e Chris Paul, i cili pësoi një dëmtim muskular në ndeshjen e shtatë të raundit të parë të fazës së Playoff-it me San antonio Spurs.

Rivendoset ekuilibri edhe në sfidën mes Cleveland Cavaliers dhe Chicago Bulls. Në Quicken Loans Arena, LeBron James është lideri i skuadrës nga Ohiao, e cila e fitoi këtë përballje me rezultatin 106-91, me “The King” që e mbylli atë me 33 pikë personale të shënuara.

Por, kontribut në këtë sukses të skuadrës së drejtuar nga David Blatt dhanë edhe Irving e Jones, me 21 dhe 17 pikë të shënuara respektivisht. Mbrëmja nuk ishte pozitive për Derrik Rose, me basketbollistin e Chicago që shënoi vetëm 14 pikë në 37 minuta aktivizimi në këtë sfidë.

Top Channel