Rodriguez: “Bernabeu” do të digjet, në fushë do t’i shpërfytyrojmë

06/05/2015 00:00

Reali i Madridit u mposht 2-1 në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Champions League, pikërisht nga Juventusi në Torino, e pavarësisht kësaj, ekziston një futbollist që nuk shqetësohet për këtë.

Ai është pikërisht James Rodriguez, i cili vështirë se mund të thuhet që flet po aq lehtësisht, sa ç’bëri me krosimin e tij ndaj Cristiano Ronaldos, në momentin e golit të barazimit 1-1, mbrëmjen e së martës në “Juventus Stadium”.

Ishte një kros tepër i lehtë për të, mëse i zakonshëm, e që u pasua nga disa deklarata jo kaq të “buta”. Përkundrazi, një thirrje kushtrimi për ndeshjen e kthimit Real-Juventus në “Bernabeu”.

“Në Madrid duhet ta djegim atmosferën, ndërsa ne futbollistët duhet të zbresim në fushë për t’i vrarë ata”, është shprehur kolumbiani në lidhje me ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Championsit, vetëm një javë më pas.

“Nuk ishte një humbje e dhimbshme, thjesht nuk kemi pasur fatin me vete,-ka shtuar më tej numri 10 i “Los Blancos”-ve. – Duhet ta lëmë këtë humbje pas shpatullave dhe të mendojmë vetëm për takimin e dytë. Ata do të mbrohen, ndoshta me të gjithë forcat pas, por ne duhet të kemi besim, sepse do të luajmë në shtëpinë tonë, përpara tifozëve tanë”.

 

Top Channel