Barcelona-Bajern, Pep Guardiola kërkon fitoren

06/05/2015 00:00

Bajerni i Mynihut ka udhëtuar drejt Barcelonës për të zhvilluar ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve me skuadrën katalanase.

rajneri i kampionëve të Gjermanisë, Pep Guardiola, e përjeton në një mënyrë të veçantë këtë rikthim të tij në Katalunja, ku prej vitesh është parë si një idhull nga tifozët e Barcelonës. Trajneri 44-vjeçar deklaroi se ai dhe skuadra e tij kishin ardhur për të fituar këtë përballje me ekipin e drejtuar nga Luis Enrike.

“Është pothuajse e pamundur të arrish finalen po nuk krijove shanse shënimi. Eshtë shumë e vështirë të luash këtu dhe të përqendrohesh vetëm te mbrojtja. Ne duhet të përpiqemi të sulmojmë dhe do të jemi të lumtur, nëse do të shënojmë. Nuk kam asnjë dyshim se dua të fitoj. Sigurisht, Barcelona është një pjesë e rëndësishme e jetës sime, ka qenë gjithçka për mua. Por unë kam ardhur këtu për të marrrë suksesin”, u shpreh Guardiola.

Kërcënimi kryesor për Bajernin e Mynihut padyshim është Lionel Messi me argjentinasin, që këtë radhë ka edhe mbështetjen e Nejmar dhe Luis Suarez. Të tre këta sulmues kanë qenë të papërmbajtshëm gjatë këtij sezoni dhe kanë shënuar plot 108 gola në të gjitha aktivitetet në këtë sezon.

“Nëse Messi luan ashtu siç po bën këto muajt e fundit, atëherë ai do të jetë i pandalshëm,-shtoi Guiardiola. Nuk ka mbrojtje apo trajner që ta markojë atë. Ne duhet të gjejmë një tjetër mënyrë për ta mbajtur atë. Duhet t’i qëndrojmë pranë dhe të mos e lejojmë të mbajë topin, siç ai bën zakonisht”.

Top Channel