Policia: Tubimi në Kukës, i paligjshëm. Arrestohet organizatori

05/05/2015 00:00

Policia e Shtetit ka sqaruar rrethanat e incidentit të ndodhur një ditë më parë në Kukës. Sipas policisë, organizatori i tubimit Nderim Lushi, është arrestuar si organizator i një tubimi të paligjshëm.

Sipas policisë, Lushi ka kërkuar leje në komisariatin e Kukësit për tubimin, me qëllim bllokimin e Rrugës së Kombit, por kjo kërkesë është konsideruar e paligjshme në themel dhe atij i është kthyer përgjigje negative.

Drejtoria e Policisë në Kukës ka analizuar veprimet e kundëraligjshme, sipas saj, të Lushit si nxitës dhe organizator të tubimit të paligjshëm, ndaj ka vendosur për të masën e arrestit në flagrance.

Por Policia e Shtetit ka sqaruar edhe pozicionin e disa prej efektivëve të policisë gjatë protestës, njëri prej të cilëve nxori armën dhe ua drejtoi atë protestuesve.

“Drejtori i Policisë së Kukësit ka vendosur pezullimin e shefit të për hetimin e krimeve, Albion Xhitoni dhe të ndihmës/specialistit në këtë seksion, Shkëlzen Neza”, bën të ditur Policia e Shtetit, e cila “për hetimin e plotë dhe nxjerrjen e përgjegjësive, ka filluar hetimin disiplinor dhe vënien para përgjegjësisë të kujtdo që ka shkelur ligjin”.

Top Channel