Policia sqaron përleshjen në Kukës: Protestuesit u përpoqën t’i marrin armën efektivit

04/05/2015 00:00

Refuzimin e kërkesës së shoqërisë civile për të zhvilluar një protestë në Rrugën e Kombit, Policia e Kukësit e argumentoi me faktin se ndodhej e angazhuar për mbarëvajtjen e aktivitetit të prezantimit të kandidatit të Partisë Demokratike.

Policia sqaron se ka mbajtur nën mbikëqyrje Nderim Lushin, organizator i protestës, i cili kishte kërkuar që më 1 Maj autorizimin për zhvillimin e manifestimit.

“Janë marrë masat për mbikëqyrjen policore të qytetarit Nderim Lushi, përfaqësues i shoqërisë civile, i cili kishte kërkuar leje për të zhvilluar një protestë në rrugën e Kombit. Kjo leje i është refuzuar këtij qytetari me argumentin se policia ishte e angazhuar për krijimin e kushteve normale për mbarëvajtjen e aktivitetit politik të subjektit Partia Demokratike dhe gjithashtu, ky refuzim është bërë duke u nisur edhe nga thelbi i kërkesës që bëhej nga qytetari Nderim Lushi mbi bllokimin e Rrugës së Kombit”- thuhet në komunikatën e shpërndarë për media nga ana e policisë.

Policia sqaron se ky shtetas kishte tendenca për të nxitur qytetarët që thërriste në tubim, për akte dhune ndaj pronës publike dhe private. Sipas uniformave blu, gjatë përpjekjes për të zhbllokuar aksin rrugor, protestuesit kanë kundërshtuar duke goditur policinë me gurë dhe shkopinj.

“Qytetarët e tubuar kanë ushtruar akte dhune ndaj punonjësve të policisë me mjete dhe sende të forta (gurë ,drunj etj) megjithëse u është bërë thirrje nga policia se veprimet ishin të paligjshme”- shtohet në deklaratë.

Lidhur me lajmin se gjatë protestës një efektiv me rroba civile ka nxjerrë armën e shërbimit, policia jep verisonin e saj të ngjarjes.

“Gjatë shoqërimit të shtetasit Nderim Lushi, si organizator dhe nxitës i tubimit dhe dhunës së ushtruar ndaj punonjësve të policisë, është tentuar t’i merret arma e shërbimit Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë së Kukësit, i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma”- thuhet në komunikatë.

Në lidhje me ngjarjen, Ministri i Punëve të Brendshme  Saimir Tahiri ka urdhëruar verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga Punonjësit e Policisë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Drejtoria e Inspektimit pranë Ministrit të Brendshëm.

Top Channel