Champions, Alegri: Mundësitë janë 50-50

04/05/2015 00:00

Juve do luajë për finalen. Kjo ishte kryefjala e konferencës së Maksi Alegrit në prag të sfidës kundër Realit. “Është një gjysmëfinale, ata janë kampionët aktual dhe mund të jenë ‘pak’ favorit, por nuk është e vërtetë se ne nuk kemi çfarë të humbasim. Ne kemi ardhur deri këtu, ndërsa tani duam të bëjmë një hap tjetër drejt finales”- u shpreh Alegri.

Për të shkuar në finalen e Berlinit, trajneri i “zonjës” thotë se duhet të jenë perfekt 180 minuta. “Duhet të jemi në nivel të lartë, perfekt në mbrojtje dhe në sulm. Nuk mendoj se dy ndeshjet do përfundojnë 0-0, prandaj do duhet të shfrytëzojmë mundësitë tona”- vazhdoi italiani.

Alegri ka zbuluar se do luajë me katër mbrojtës, ndërsa ka rikonfirmuar se Pogba do rikthehet për sfidën e dytë që do luhet në Madrid. “Do luajmë me katër mbrojtës. Pogba? Do rikthehet për ndeshjen në Madrid, keqardhje që ai dhe Modriç nuk do jenë për këtë ndeshje”- deklaroi ai.

Për fund, Alegri ka pasur disa fjalë edhe për ata që ishin treguar skeptik ndaj tij në fillim të këtij sezoni. “Në futboll vlejnë rezultatet. Në fillim të sezonit të gjithë mund të flasin, por në fund janë rezultatet ato që zënë vendin fjalëve. Ne kemi arritur rezultate të mira dhe jam shumë krenar për këtë gjë”- mbylli konferencën trajneri i Juves.

Top Channel