NBA, Chris Paul heroi i Clippers. Eliminohen kampionët e Spurs

03/05/2015 00:00

Befasia e parë e “play-off”-eve të basketbollit amerikan është regjistruar mesnatën mes së shtunës dhe të dielës, kur kampionët në fuqi të San Antonio Spurs janë detyruar t’i thonë lamtumirë këtij edicioni që në raundin e parë të tyre.

Los Angeles Clippers është ekipi që ka habitur të gjithë dhe ia kanë dalë të triumfojnë në një përballje tepër të luftuar deri në sekondat e fundit, duke eliminuar kështu në ndeshjen e shtatë me rezultatin 111-109. Dhe ylli i këtij triumfi, sigurisht që ka qenë Chris Paul, i cili edhe pse vinte disi i dëmtuar, arriti të jepte kontributin e tij në gjysmën e dytë të ndeshjes, duke bërë mënjanë kundërshtarët.

Spursat treguan të njëjtin karakter si gjithmonë, krenarinë e natyrshme të teksanëve, por nuk kanë shfrytëzuar siç duhej mundësitë që iu dhanë, duke shpërdoruar shumë. Edhe pse kishin një ekip më të kompletuar se kushdo tjetër, jo vetëm që nuk arritën të mbyllnin llogaritë në parketin e tyre, por lëshuan shumë sidomos në minutat e fundit. Humbja e Parker në gjuajtjen e fundit kthen në kujtesën e teksanëve ato momente të hidhura të eliminimeve, si Fisher për Lakersat në 2004-n, Nowitzki për Mavaricks në 2006.

Ja pikëshënuesit më të mirë për të dy skuadrat

Los Angeles: Paul 27 pikë, Griffin 24, Barnes 17. Topat në tabelë: Jordan 14. Asiste: Griffin 10.
San Antonio: Belinelli 2 pikë (0/2, 2/2 gjuajtje të lira), 4 asiste. Duncan 27, Parker 20, Green 16. Topat në tabelë: Duncan 11. Asiste: Ginobili 7.

Top Channel