Jeta e re në Prizren për familjen Shishmani nga Halepi i Sirisë

03/05/2015 00:00

Fillimi i luftës në Siri ka bërë që familje me prejardhje nga Kosova të rikthehen në vendin e të parëve pas shumë vjetësh.

Bekri Shishman i lindur në Halep të Sirisë nga një nënë kosovare dhe baba sirian, për gati 3 vjet është vendosur në qytetin e Prizrenit bashkë me familjen e tij, ku edhe zhvillon një biznes të vogël që kishte ushtruar mbi 25 vjet në Halep. Është pikërisht Prizreni pasi për gati 30 vjet Bekriu është i martuar me një grua nga ky qytet.

Nëna e tij kishte shkuar në Siri në vitin 1967, por fëmijëve u foli gjithmonë shqip.

“Nëna në shtëpi ka folur shqip. E kemi ruajtur gjuhën sa kemi mundur”, shprehet Bekriu.

Nëna u kishte folur edhe për zemërgjerësinë e shqiptarëve, gjë që Bekriu e vërtetoi me të arritur në aeroportin e Prishtinës, kur një nga oficerët i ofroi çelësat e shtëpisë.

“Kur kemi arritur në aeroportin e Prishtinës, ishte ‘Ramazan’, para gati 3 vjetësh. Një oficer atje na ka parë neve dhe na pyeti “nga Siria jeni?” Po!, “ku po shkoni?” tha, I thash në Prizren ose Gjakovë, ose kudo. I nxori çelësat nga xhepi, çelësat e banesës dhe tha “unë do të martohem pas tre muajsh, ja çelësat, shkoni rrini në banesë”. As nuk e njoh kush është. Edhe tani po ta shoh në rrugë ndoshta nuk e njoh”, thotë Bekriu.

Me të arritur në Prizren, familjes Shishman iu ofrua një banesë në shfrytëzim pa kompensim parash dhe shumë shpejt kjo familje u përshtat me mentalitetin e Prizrenit dhe u pranua shumë mirë nga shoqëria.

“Shumë të mirë janë, na kanë  ndihmuar neve shumë. Për shembull kam marrë një banesë këtu në Prizren, 2 vjet e gjysmë nuk ka marrë nga unë asnjë cent qiraje. Na ka  thënë ju jeni mysafir i jonë, deri kur të përfundojë lufta rrini në banesë, pa asnjë cent”.

Njëri nga tre djemtë e Bekri Shishman, Muhamedi, i  cili ndihmon të atin në zhvillimin e biznesit shprehet i kënaqur me mikpritjen që i është bërë nga prizrenasit.

“Shumë mirë na kanë pritur, shpesh na thonë “mirë se keni ardhur”, “e keni shtëpinë e dytë” edhe “mos u ktheni në Siri”. Gjithmonë fjalët të rehatojnë, sikur të jesh me familje.

Muhamed tregon me krenari që Kosovës i sollën të paktën aromat tipike të lindjes, me parfumerinë e tyre të vendosur në qendër të Prizrenit.

Ndërsa njëri nga djemtë e Bekriut po vazhdon studimet në një prej kolegjeve private në Kosovë.
Pavarësisht mikpritjes nga kosovarët, Bekri dhe Muhamed Shishman me padurim presin përfundimin e luftës dhe kthimin në Siri.

“Mjaft mirë është Kosova, Shqipëria, por prapë qyteti jonë, pasurinë e kemi atje, banesat, shtëpitë, depo, duhet patjetër të kthehemi”, thotë Bekri Shishmani.

“Patjetër të merr malli për vendin ku je rritur. 23 vjet kam jetuar atje. Nuk janë pak, nuk janë pak”, shprehet i biri i Bekriut.

Familja Shishman nga Halepi i Sirisë tashmë janë të pajisur me dokumente të shtetit të Kosovës.

Top Channel