Empoli i Hysajt i jep leksion Napolit

01/05/2015 00:00

Tashmë është e sigurt: Elseid Hysaj, edhe nëse nuk do të largohet nga Empoli në fund të sezonit, do të luajë sërish në Serinë A.

Empoli tregoi mbrëmjen e së enjtes se e meriton të qëndrojë mes ekipeve më të mira në Itali, pasi mposhti Napolin e vendit të katërt me rezultatin 4-2. Por ajo që ra më shumë në sy ishte loja e zhvilluar nga vendasit, të cilët ishin superiorë në çdo drejtim edhe pse organika e tyre është e përbërë nga futbollistë kryesisht të rinj.

Një ndeshje të jashtëzakonshme zhvilloi edhe lojtari i Kombëtares sonë të futbollit Elseid Hysaj, i cili pati një detyrë të vështirë në mbulimin e lojtarëve të klasit botëror, si Higuain, Hamsik dhe Callejon, por në fund ai ia doli, duke qenë fitues thuajse në çdo dyluftim që pati me kundërshtarët.

Për t’u shënuar në këtë ndeshje ishin edhe 3 autogola, dy të shënuar nga lojtarët e Napolit dhe një nga Laurini për vendasit. Për Empolin, dy golat e tjerë u shënuan nga Maccarone dhe Saponara, ndërsa për Napolin shënoi Marek Hamsik.

 

Top Channel