1 Maji, metamorfoza e një dite protestash

01/05/2015 00:00

Me një shkrim të ri, ku gërmat janë shndërruar në vegla pune, “Google” shënoi 1 Majin, Ditën ndërkombëtare të kushtuar Punëtorëve në mbarë globin.

Marshime paqësore e protesta mbahen zakonisht në këtë ditë, kur në të kaluarën mitingjet janë shfrytëzuar më së shumti për të kërkuar paga më të larta, kushte më të mira apo mundësi më të mëdha të punësimit.

1 Maji është fiksuar si datë në kujtim të ngjarjeve të dhimbshme të vitit 1886 në Amerikë. Një prej kontribueseve kryesore është ajo, që njihet si “masakra e Haymarket” në Chikago. 4 Majin e atij viti, shpëthimi i një bombe u mori jetën 7 oficerëve të policisë dhe 4 civilëve. Dinamiti ishte përgjigje ndaj vrasjes së demonstruesve paqësore nga forcat e rendit, vetëm një ditë përpara ngjarjes.

Punëtorët kishin dalë në protesta për mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe vendosjes së ditës së punës 8 orarëshe. Pas sulmit, 8 anarkistë u shpallën fajtorë, si komplotues në episodin e përgjakshëm, dhe u dënuan me vdekje.

Rasti tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës e pushtoi titujt e parë të gazetave të kohës, për shkak se provat tregonin se asnjëri prej 8 të akuzuarve nuk ishte personi, që kishte hedhur bombën. Tre vite më vonë, Internacionalja Socialiste në Paris krijoi një ditë ndërkombëtare në nderim të lëvizjes punëtore dhe caktoi 1 Majin si ditën për të kujtuar masakrën e Haymarket-it.

126 vite më vonë, dita e solidaritetit të punëtorëve përkujtohet në forma të ndryshme. Disa vende e kalojnë me tubime, ku i bëhet jehonë trajtimit të punëtorëve, të tjerë e kanë ditë feste. Ka dhe shtete, të cilat e kremtojnë ditën e punëtorëve në data të tjera, që mund të kenë domethënie për to, siç është rasti i Shteteve të Bashkuara, të cilat e festojnë të hënën e parë të Shtatorit.

Top Channel