Miratohet projektligji për energjinë. Hiqet barra hipotekore për familjarët

30/04/2015 00:00

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 83 vota pro projektligjin për sektorin e
energjisë elektrike, por pa nenin ku parashikohej sekuestrimi e banesës
në rast debie ndaj OSHEE-së.

Para votimit, Partia Demokratike u shpreh edhe kundër nenit që parashikon sekuestron për bizneset që regjistrojnë një debi mbi 200 mijë lekë ndaj OSHEE-së.

Por opozita kundërshtoi edhe këtë formë, duke paralajmëruar madje se do ta çojë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese. Deputetja Jorida Tabaku tha se barren hiptekore per bizneset do ta pesojne bizneset e vogla, te cilat nuk kane mundesi te paguajne, ndersa ‘peshqit’ e medhenj si gjithmone do ja hedhin pa u lagur.

Propozimi fillestar parashikonte vendosjen e barrës hipotekore për konsumatorët familjarë kur kalojnë vlerën debitore prej 300 mijë lekësh, ndërsa për bizneset kur kalojnë vlerën e 2 milionë lekëve.

Një tjetër pikë debati ishte ajo e çmimit të lartë, që qytetarët duhet të paguajnë për faturat aforfe, për të cilën kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese tha se synohet që fundi i këtij viti të jetë edhe fundi i kësaj mënyre faturimi, pas pajisjes së të gjithë konsumatorëve me matësa.

“Ne i kërkojmë qeverisë dhe Entit Rregullator të mbikëqyrin procesin e pajisjes me matësa për të gjithë konsumatorët shqiptarë, në mënyrë që në fillim të vitit 2016, asnjë konsumator shqiptar të mos ngarkohet aforfe”- deklaroi deputeti Eduard Shalsi.

Gjithashtu, u miratua me 82 vota pro në parim projektligji i hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Kuvendi rrëzoi draftin “Doda-Idrizi” dhe votoi me 84 vota pro projektligjin për hapjen e dosjeve sipas modelit gjerman.

Top Channel