Tiranë, 3 persona të armatosur grabisin makinën që transportonte paratë e një kompanie

27/04/2015 00:00

Makina e një shoqërie të ruajtjes dhe sigurisë fizike është grabitur paraditen e së hënës nga tre persona të armatosur e të maskuar.

Ngjarja ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, pak pas orës 10.00.

Mësohet se makina e grabitur transportonte për në bankë paratë e një aktiviteti privat. Ende nuk dihet shuma e grabitur e parave, por policia tha se po punon bashkë me drejtuesit e kompanisë së grabitur për të llogaritur shumën e parave.

Fillimisht grabitësit kanë goditur automjetin e kompanisë së sigurisë, me targat AA836JH. Ata e kanë goditur me forcë në pjesën e parë nga krahu i drejtuesit të mjetit, dhe nën kërcënimin e armëve u kanë marrë dy efektivëve të “Security” të gjitha paratë.

Grabitësit e maskuar janë larguar me një automjet tip “Benz”, me targa AA 862 KK, të cilit i kanë vënë flakën në hyrje të fshatit Bërxullë.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po heton për zbardhjen e plotë të kësaj grabitjeje dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë, janë shoqëruar të dy transportuesit e parave drejt Drejtorisë së Qarkut Tiranë dhe janë duke u marrë në pyetje në lidhje me këtë grabitje.

FOTO GALERI
1/3
Grabitet makina që transportonte paratë e një kompanie

Top Channel