Degëzimi i fundit ku makina mund të shkojë normalisht është ai, që kalon në krah të Kishës së Laçit. Më tej, rruga vështirësohet ndjeshëm. Pallatet e qytetit sa vijnë e zvogëlohen, ndërsa pamja hapet deri tej në horizont, ku qielli bashkohet me detin.

“Kalaja e fshehtë e Skënderbeut; kështu e kanë quajtur shumë historianë e arkeologë, një nga fortesat e krahinës së Kurbinit. E fshehur dikur nga pushtuesit, e fshehur edhe sot nga sytë e njerëzve”.

Sa më shumë ecin kilometrat, aq më shumë shkretohet zona. Rruga dredhon tashmë pas shpatullave të malit. Fshatrat janë larg, ndërsa përreth nuk ka këmbë njeriu. Dukshëm, kush ka mundur është larguar për një fat më të mirë. E në këtë situatë, gjetja e destinacionit tonë bëhet një sfidë e vështirë.

Pas rrotullimesh të rrëmujshme, nga sipër dallohet fshati Daul. Sipas të dhënave, që jep arkitekti dhe arkeologu Gjergj Saraçi, dikur pjesë e Institutit të Arkeologjisë, në një botim shkencor të Akademisë së Shkencave të vitit 1987, kalaja e fshehtë e Skënderbeut ngrihet në shpatin lindor të malit të Predonit, rreth 527 metra mbi nivelin e detit. Rrjedha e sipërme e përroit të Hurdhasës, degë e lumit Mat, e ndan atë nga mali i Skënderbeut; ndërsa në veri dhe në jug të kalasë ndodhen lugina e Gallatës dhe buza e Shëngjergjit. Këto janë të dhënat tona, të cilat për t’i prekur duhet të nisim rrugëtimin tashmë në këmbë.

“Dikur rruga, apo shtigjet që të çonin për në kala mirëmbaheshin, ndërsa sot duhen çarë ferrat, në mungesë të plotë të orientimit”.

Terreni ku është vendosur kalaja, duket se është zgjedhur me një kujdes të veçantë. Ai është shkëmbor dhe në një pjesë të madhe ofron mbrojtje natyrore. Interesi për këtë kala, siç përshkruhet në revistën arkeologjike “Iliria” të 28 viteve më parë, nisi diku në shekullin e 19 nga arkeologu Gopçeviç.

Që prej asaj kohe, shumë teza u hodhën për identitetin e vërtetë të saj. Një pjesë e arkeologëve e lidhën me Krujën, por kishte edhe të tjerë, që e konsideronin pjesë të fortifikimeve mbrojtëse të qytetit të Durrësit. Disa e quanin Kalaja e Daulës, siç quhet edhe fshati pranë, por kjo ishte teza e parë e hedhur poshtë, sa kohë fshati është ndërtuar kohë më pas.

Do të duheshin kërkime shtesë, të cilat do të dilnin në rezultatin se ajo është ndërtuar diku pas viteve 1451. Çka sipas arkeologut të mirënjohur Saraçi identifikohet edhe nga ngjashmëria ndërtimore me fortifikime të tjera të kohës së Skënderbeut.

Kjo kala, që identifikimin si fortesë e fshehtë mesa duket e ka marrë nga pozicioni, që i shkrihet me shkëmbinjtë e gjelbërimin e hazdisur, e që e bëjnë vështirë të dallueshme nga larg, shërbente për të kontrolluar rrugën që kalonte përmes luginës së Gallatës, e që lidhte më shpejt Lezhën e Mirditën me Krujën.

“Ka mëse 30 vjet, që në këtë kala nuk është kryer më asnjë ndërhyrje. Ka qenë viti i largët 1983, kur këtu janë kryer gërmimet dhe restaurimet e fundit. Që prej atëherë, askush nuk ka ardhur më këtu, për të sjellë në jetë të vërteta të tjera”.

Kanë kaluar saktësisht 32 vite që prej kohës së fundit, kur kjo kala kishte ende një vëmendje të denjë për emrin e saj. Gjatë punimeve u zbuluan traktet e mureve, dy hyrjet e kalasë, kulla, tre ngrehina, stera e ujit, por edhe gjyle guri, e material tjetër i imët arkeologjik. Planimetria e kalasë dhe gjurmët urbane, si gjithçka tjetër dallohen vetëm në botimet e pluhurosura, e më pas asgjë.

Për mënyrën e ndërtimit dhe gjithçka tjetër do të duhej të flisnin ekspertët e fushës, sepse çdo element ka veçantinë e tij. Duke filluar te lidhja e gurëve, me një llaç me cilësi të lartë; suvatimet e ndryshme, platformat e drunjta në shtegun e rojeve; vrimat e ajrimit, vorbat, kupat e shumë detaje të tjera të ndryshme në këtë kala. E po ashtu, mënyra mjeshtërore sesi ishte menduar, që edhe në rast sulmi, pushtuesit të ishin krejtësisht të zbuluar, duke u detyruar të ndiqnin rrugën e ndërtuar në një mënyre të tillë, që t’i detyronte të rrotulloheshin dy herë para kullës më të fortë e më të mbrojtur.

“Kalaja e fshehtë e Skënderbeut, sipas arkeologëve mendohet të jetë shkatërruar në verën e vitit 1466, gjatë rrethimit të dytë të Krujës. Periudhë kjo, që përkon edhe me pushtimin e krahinës nga osmanët. E megjithatë, kjo kala duket se shkatërrimin më të madh e ka marrë gjatë këtyre 25 viteve, kur është lënë krejtësisht në mëshirë të fatit”.

Shumë nga traktet e mureve po vazhdojnë të bien. Erozioni po bën të vetën. Mjafton të shikosh përreth, për të prekur pjesë të tëra, që po bien greminës. E të mendosh se kalaja, pavarësisht sulmeve të dikurshme mbijetoi, ndërsa sot po shuhet përfundimisht. Është e trishtë të prekësh këto gjurmë shkatërrimtare. Histori dhe shkatërrim. Në realitetin shqiptar, shpesh këto dy elementë shkojnë më së miri bashkë.

Ka shumë kala, që i përkasin periudhës së jashtëzakonshme të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ajo e Stelushit, Gurit të Bardhë, Stefigradit, Kepit të Rodonit, e kështu me radhë shumë të tjera. Të gjitha, ashtu si ajo e Krujës, që po vihet poshtë nga betoni, duket se kanë të njëjtin fat. Braktisjen e plotë.

Ne marrim rrugën e kthimit, duke lënë pas gjurmët e një kohe kaq me vlerë për shqiptarët, gjurmë që po shuhen, po zhbëhen, ashtu si banorët e këtyre zonave, që në mungesë të mbështetjes po ikin çdo ditë, duke lënë tej rrënjët e tyre. Pas mbetet Kalaja e Skënderbeut, e fshehtë dikur nga pushtuesit, e fshehtë edhe sot nga njerëzit.

Top Channel