Hidhet shorti për Arben Frrokun, pesë emrat e Apelit që do gjykojnë çështjen

24/04/2015 00:00

Në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda është hedhur shorti përcaktues i pesë gjyqtarëve që do të vendosin mbi Arben Frrokun.

Shorti ka zgjedhur gjyqtare kryesuese Nertina Kosova dhe gjyqtarët Nure Preni, Albana Boksi, Dhimitër Lara dhe Amarlido Laçi.

Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda në fillim të këtij muaji shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, biznesmeni i akuzuar nga Prokuroria si autor i vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt më 24 shkurt 2013.

I mbajtur nën gjykim për 13 muaj për vrasje në rrethana cilësuese të shefit të policisë, gjykata pranoi vetëm një pretendim të Prokurorisë, që Frroku dhe Lamaj kishin patur konflikte me njëri-tjetrin për shkak të detyrës së këtij të fundit.

Prokuroria pretendon se gjykata nuk mori parasysh provat e paraqitura prej saj, ndaj vendosi të apelojë çështjen. Ajo do të vijojë “ta mbrojë” në Gjykatën e Apelit akuzën ndaj Arben Frrokut, me dëshmitarin e mbrojtur nga shteti, personin me emrin e ndryshuar Arben Ndoka.

Gjykata e Shkallës së Parë e deklaroi të pabesueshëm dhe kontradiktor Ndokën, me argumentin se ai shfaqet në kamerat e sigurisë katër minuta pas krimit, por Prokuroria thotë se dëshmia e Ndokës mbështetet edhe nga prova të tjera, që gjykata nuk i ka konsideruar.

Prokuroria thotë se dëshmitari i saj është i besueshëm, pasi është pikërisht ai që identifikoi i pari mjetin BMË me targat DR 19 44 F, nga ku u qëllua Dritan Lamaj. Prokurorët pyesin: nëse dëshmitari mbërriti katër minuta me vonesë, atëherë si ka mundësi që ai dinte targën e automjetit nga ku u qëllua dhe si ka mundësi që di edhe detaje të tjera të konfirmuara?

Prokuroria thotë se dëshmia e Ndokës mbështetet edhe nga dëshmite e shtetaseve O.L., dhe A.K., të cilat po ashtu si dëshmitari Ndoka, përshkruan automjetin, por edhe faktin që në makinën e krimit ndodheshin tre persona. Detaj që, sipas prokurorisë, tregon se Ndoka ka parë gjithçka ndodhi në vendin ku u vra Dritan Lamaj.

Top Channel