“Doshi” në Kushtetuese, kërkohet anulimi i arrestit dhe rikthimi në Kuvend

24/04/2015 00:00

Pas deputetit Tom Doshi, edhe avokatët e tij mbrojtës pretendojnë se, ndaj klientit të tij ka pasur një komplot për ta vrarë.

“Ende edhe sot nuk ka një argument shterues, që të ezaurojë të gjithë problemin që lidhet me akuzën e vrasjes. Këtë të bëjë Prokuroria”, tha avokati mbrojtës i deputetit Doshi, Vladimir Meçi.

Në një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, avokatët pretendojnë se prokurori i Përgjithshëm ka dalë nga kornizat e tij kushtetuese dhe ka hyrë në një terren politik, për sa kohë në kërkesën e 20 Marsit drejtuar Kuvendit, i qëndroi mes të tjerash rrezikshmërisë së Doshit dhe ruajtjes së imazhit të institucioneve.

Avokatët kërkojnë shfuqizimin e arrestit të tij, urdhëruar nga Gjykata e Lartë dhe lejuar nga Parlamenti. Në kërkesë shpjegohet se, edhe urdhri i ndalimit i firmosur nga prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është në tejkalim të kompetencave, duke qenë se ai përmendet nga Doshi, si i përfshirë në këtë çështje.

Por, prokurori i Përgjithshëm, – pretendon mbrojtja, – nuk e deklaroi konfliktin e interesit, çka do të sillte një urdhër ndalimi, që sipas ligjit s’duhej të firmosej prej tij, por nga prokurori më i vjetër në detyrë.

Në kërkesë replikohet edhe me vendimin e Kuvendit, i cili u ngut – thonë avokatët, – duke mos administruar raportin e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve. Ndërsa kundërshtohet edhe vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila ka dhënë përveç masës së sigurisë “arrest shtëpie”, edhe ndalimin për të mos takuar askënd përveç familjarëve, çka sjell sipas mbrojtjes shkelje të ligjit, për shkak të privimit nga ushtrimi i funksioneve të deputetit, si parlamentar.

“Janë shkelur dispozita të rëndësishme kushtetuese, janë shkelur dispozita të rëndësishme të akteve ndërkombëtare përgjithësisht të pranuara dhe ta ratifikuara nga Parlamenti i Shqipërisë, kryesisht të atyre akteve që garantojnë lirinë e personit”, tha më tej Vladimir Meçi.

Nga ana tjetër, në prani të avokatëve, përfaqësues të Prokurorisë tentuan të marrin në pyetje deputetin Mark Frroku, i cili ndodhet në spital për shkak të gjendjes shëndetësore. Por Frroku refuzoi të japë deklarime, si person nën hetim.

“Ishte thjesht një seancë komunikimi e akteve të ekspertimit”, tha avokati mbrojtës i Frrokut, Genc Gjokutaj.

Ndërkohë, nga ana e saj, Prokuroria pretendon se e ka të kopsitur dosjen “Doshi”, e cila pritet të mbyllet brenda këtij muaji dhe të përfundojë për gjykim në Gjykatën e Lartë. Prokuroria ka mundësi, që do t’i qëndrojë në gjykatë versionit të mashtrimit të Doshit nga Frroku, i cili sipas prokurorëve ka sajuar versionin e komplotit, për arsye që lidhen me marrëdhëniet e tyre të biznesit.

Top Channel