Konçesioni për Rrugën e Kombit, protestojnë banorët e zonës

23/04/2015 00:00

Banorët e komunës Tërthore në rrethin e Kukësit, zonë e cila përshkohet nga autostrada janë kundër dhënies me konçesion të Rrugës së Kombit, ndërsa vendimi që pritet të marrë qeveria shqiptare për taksimin e kalimit në autostradë nuk është pritur aspak mirë.

Banorët shprehen se qeveria para se të japë rrugën me konçesion duhet të vërë dorë në ndërtimin e rrugëve dytësore dhe të mbi e nënkalimeve.

“Në fillim të hapen lidhjet mes mbikalimeve dhe nënkalimeve dhe pastaj me urat. S’ia kemi borxh shtetit ne”, thotë një prej tyre.

“Rruga s’ka përfunduar, njerëzit po kalojnë rrugën pa mbikalime, duke kapërcyer barrierën”, thotë një tjetër.

Ndërkohë, mbyllja e trafikndarësve ka detyruar banorët që të gjejnë mënyra të tjera alternative për të kaluar nga njëra korsi e autostradës në tjetrën.

Përgjatë segmentit Kukës-Morinë, ata kanë vendosur disa shkallë druri duke rrezikuar shpesh herë jetën e tyre, por edhe të fëmijëve, të cilët për të shkuar në shkollë çdo ditë ecin në autostradë.

Top Channel