Sot përcaktohen dy gjysmëfinalistët e tjerë të Champions League

22/04/2015 00:00

Sot në mbrëmje do të përcaktohen dy gjysmëfinalistet e tjera të Champions League.

“Kam një skuadër të madhe, nuk më shqetësojnë mungesat”. Kjo është fjalia e parë e Karlo Ançelotit në prag të kësaj ndeshjeje derbi me Atletikon e Madridit. Trajneri i skuadrës “merenge” tenton të ulë shqetësimin e ngritur për mungesat e Bale, Modric dhe Benzema në ndeshjen ndaj bardhekuqve, një kundërshtar që në këtë sezon nuk e ka mundur ende, por që në mbrëmjen e sotme ëndërron të bëjë diçka më tepër sesa barazimi 0-0 për t’u kualiikuar.

Ndërkohë, Atletiko numëron 4 fitore, dy në kampionat, një në Kupën e Mbretit, një në Superkupë dhe 3 barazime, në Kupën e Mbretit, Superkupë dhe ndeshja e parë Champions, në përballjet e këtij sezoni me Realin. Të gjitha këto shifra e shndërrojnë skuadrën e Diego Simeones në një mace të zezë për madrilenët e tjerë.

Ançelotit i duhet të bëjë disa manovra të rëndësishme në formacionin e sotëm me mungesat e Marcelo, Modric, Bale dhe Benzema. Ndërsa Simeones do t’i mungojë vetëm Mario Suarez, ndërkohë që në sulm do të ketë artilerinë e rëndë, Griezmann-Mandzukic.

Ndeshja tjetër e mbrëmjes së sotme do të jetë ajo mes Monakos dhe Juventusit. Bardhezinjtë kanë fituar 1-0 ndeshjen e parë dhe sot do të tentojnë të mbajnë apo thellojnë avantazhin për të vazhduar për më tej.

Gjysmëfinalen, “Zonja e Vjetër” italiane nuk e arrin që nga viti 2003, kur kaloi Realin e Madridit dhe më pas humbi finalen me Milanin në Mançester. Në stadiumin “Luigji II”, skuadra e Alegrit shpreson të përsërisë atë që bëri ndaj Dortmundit, për të mos i dhënë mundësinë francezëve të shpresojnë në kualifikim.

Sa i përket formacionit të tyre pak dyshime ka: Vidal është rikuperuar dhe gjithçka duket në rregull për skemën 3-5-2 të italianëve.

Këto dy ndeshje si gjithmonë do të keni mundësinë t’i ndiqni si gjtihmonë drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës Digitalb, duke filluar nga ora 20:00.

Top Channel