Kukësi-Laçi, finalja e Kupës. Kurbinasit eliminuan Tiranën, kuksianët Skënderbeun

22/04/2015 00:00

Laçi-Kukësi do të jetë finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë, një trofe ky që i jep mundësinë skuadrës fituese të përfaqësojë Shqipërinë në paraleminatoret e Ligës së Europës.

Laçianët e drejtuar nga Armando Cungu mundën 1-0 Tiranën, të mbetur me 10 veta, dhe dalin kështu në finalen e këtij kompeticioni, për herë të dytë në 3 vitet e fundit. Protagonist i suksesit të skuadrës kurbinase ishte James, i cili shënoi golin e triumfit. Pas ndeshjes, trajneri i Tiranës, Gugash Magani nuk i ka kursyer akuzat ndaj gjyqtarit të ndeshjes, Bardhyl Pashaj.

“Mendoj që sot, arbitri ka qenë kamikaz dhe për këtë nuk kam frikë nga asgjë. Duhet ta them. Nuk mund ta kapërdij këtë maskarallëk që na bëri gjyqtari, sepse nuk gjykoi me të njëjtin standard, por me dy standarde”, tha tekniku i Tiranës, Gugash Magani.

Kukësi barazoi 1-1 në Korçë dhe, falë fitores minimale në ndeshjen e parë arriti të dalë për të dytin vit radhazi në finalen e Kupës. Edhe pse e dominuan lojën dhe kaluan të parët në avantazh, me Prognin, kampionët në fuqi nuk kanë arritur të ndalin të përhershmin Pero Pejiç, i cili me golat e tij vazhdon të jetë vendimtar për skuadrën e Kukësit.

Në pjesën e dytë, Skënderbeu u përpoq me të gjitha forcat për të shënuar, por tentativat e tyre nuk dhanë asnjë rezultat. Tashmë titulli kampion është trofeu i vetëm, që ka mbetur në lojë dhe korçarët, si kryesues të Kategorisë Superiore janë pretendentët kryesorë të saj.

Top Channel