Lideri i ISIS, i plagosur rëndë që prej 18 Marsit nga sulmet ajrore

21/04/2015 00:00

Udhëheqësi i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi raportohet të jetë plagosur rëndë pas një sulmi ajror në Irakun perëndimor, sipas burimeve të “the Guardian”, që kanë zbuluar se Baghdadi është goditur nga një sulm i koalicionit të udhëhequr prej SHBA-ve gjatë muajit Mars.

Fillimisht, plagët e marra ishin aq të rënda sa i rrezikonin atij jetën, por prej asaj kohe, ai duket se është rikuperuar disi. E megjithatë, burimet shtojnë se ai ende nuk ka rifilluar kontrollin e plotë të përditshëm të organizatës së xhihadistëve ekstremistë.

Plagosja e Baghdadit detyroi mbajtjen e një mbledhjeje urgjente të udhëheqësve të tjerë të ISIS, të cilët fillimisht besuan se ai mund të ndërronte jetë dhe hartuan planet për të emëruar pasuesin e tij.

Dy zyrtarë të ndryshëm, një diplomat perëndimor dhe një këshilltar irakian, konfirmuan se sulmi është kryer gjatë 18 Marsit në al-Baaj të qarkut të Nineveh, shumë pranë kufirit me Sirinë. Ky nuk është raporti i parë që flet për plagosjen e Baghdadit, për të cilin janë njoftuar edhe në Nëntor dhe Dhjetor të tilla ngjarje, pa u konfirmuar vërtetësia e tyre.

Sulmi i një muaji më parë kishte goditur një autokolonë prej 3 makinash, në zonën mes fshatrave Umm al-Rous dhe al-Qaraan. Ai kishte për objektiv udhëheqësit lokalë të ISIS dhe besohet se ka lënë të vrarë 3 persona. Ende nuk konfirmohet nëse Baghdadi ka qenë në njërën prej atyre makinave. Gjithsesi, edhe zyrtarët amerikanë nuk kanë mundur të konfirmojnë këtë raport, teksa një zëdhënës i Pentagonit tha se “s’kemi ende një provë për të konfirmuar vërtetësinë e lajmit”.

Gjatë muajve të fundit, sulmet ajrore kanë rezultuar tepër efektive në shënjestrimin e udhëheqësve të lartë lokalë të ISIS. Edhe zëvendësi i Baghdadit, Abu Muslim al-Turkmani, si dhe kreu i operacioneve ushtarake të grupit xhihadist në Irak, kanë mbetur viktima të fushatës ajrore në fillim të Dhjetorit.

Top Channel