Goditet grupi i falsifikatorëve në Vlorë e Tiranë

21/04/2015 00:00

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka goditur një grup falsifikatorësh që kishin shtrirë aktivitetin e tyre në qytetet e Tiranës dhe Vlorës.

Gjatë operacionit të SHÇBA-së, në Tiranë dhe në Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi Ilirjan Beqiraj, me banim në qytetin e Vlorës, pronar i firmës “Interterm”.

Arrestimi i Beqirajt u krye mbi bazën e një hetimi intensiv kryer nga shërbimet e policisë gjyqësore të SHÇBA-së për veprat penale  të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, të kryer në bashkëpunim.

SHÇB njofton se “gjatë kontrollit të ushtruar në biznesin e shtetasit Ilirjan Beqiraj në Vlorë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale si mjete që përdoreshin për falsifikim dhe dokumenta të falsifikuara si vula, leje qarkullimi ndërkombëtare dhe shqiptare, dëshmi të ndryshme penaliteti, çertifikata pronësie, akte noteriale për shtetas të ndryshëm, printer skander, njësi kompjuterike dhe një shumë prej 14.300 eurosh”.

Në lidhje me këtë procedim është vendosur të ndiqen në gjëndje të lirë shtetasit Leonard Zhupa dhe Arben Kadiu. Ata në bashkëpunim me shtetasin Ilirjan Beqiraj kanë konsumuar elementet e veprës penale të “Falsifikimit të dokumentave”.

Top Channel