Vonuan deklarimin e pasurisë, ILDKP gjobit 28 zyrtarë

20/04/2015 00:00

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) ka gjobitur sot me nga 100 mijë lekë 28 zyrtarë, të cilët nuk deklaruan në kohë pasuritë e tyre.

Sipas njoftimit zyrtar të ILDKPKI, nga verifikimi paraprak u evidentuan 28 deklarues, të cilët nuk kanë përmbushur detyrimin ligjor për të deklaruar pasuritë e tyre Brenda afateve ligjore. “Për rrjedhojë, ndaj subjekteve deklarues, shkelës të detyrimit për deklarim pasurie, Inspektori i Përgjithshëm ka aplikuar masën administrative me gjobë, në vlerën 100 mijë lekë”, ka njoftuar Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive.

Ndër 28 të gjobiturit ka zyrtarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ajo e Tatimeve, Ministria e Kulturës, e Drejtësisë, nga strukturat e Prokurorisë, Zyrat e Regjistrimit të pasurive etj.

Gjithashtu, ILDKPKI u bën thirrje subjekteve që nuk kanë kryer në kohë deklarimin e pasurisë për ta përmbushur atë pa vonesë, pasi mosdeklarimi apo refuzimi për të deklaruar interesat private sjell humbje të funksionit publik dhe ndjekje penale, “masa këto që do të zbatohen nga Inspektoriati për të gjithë subjektet që vazhdojnë të jenë në shkelje të ligjit, duke refuzuar deklarimin e interesave private”.

Top Channel