Opozita ruse bashkohet kundër Putinit

19/04/2015 00:00

Pas vitesh të tëra lufte të brendshme, opozita e fragmentarizuar ruse ka vendosur të bashkojë forcat përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit që vjen. Në mesin e partive që do të garojnë me një platformë të përbashkët, është edhe ajo e disidentit Boris Nemtsov, i vrarë në 25 shkurt përpara mureve të Kremlinit.

Të rreshtuar në këtë bllok opozitar janë edhe dy prej kritikëve më të egër të Vladimir Putinit: ish-kryeministri Mikail Kasionov dhe blogeri i paepur i anti-korrupsionit, Aleksei Navalni, dy herë i dënuar prej pushtetit aktual për shpërdorim fondesh, çka ai vetë e mohon me forcë.

“Po flasim sot për konsolidim të vërtetë të opozitës në Rusi. Fakti që dalim me një listë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme do të thotë se opozita është vërtet e bashkuar”, tha Kasionov.
 
Partitë akuzojnë sistemin autoritar të Vladimir Putinit se e ka nxjerrë jashtë loje opozitën, ka rrënuar ekonominë dhe e ka zhytur vendin në konflikt me ndërhyrjen në Ukrainë. Ata thonë se fati i Boris Nemtsovit është dëshmia më e qartë e mosfunksionimit të shtetit ligjor. Putini sërish mohoi çdo përfshirje në vrasjen e armikut të tij, të cilën madje e dënoi ashpër në komunikimin maratonë të së enjtes me publikun.

“Ishte një ngjarje e turpshme. Këto lloj vrasjesh janë tragjike dhe të turpshme”, tha Putini.
 
Pas 15 viteve të Putinit në pushtet, herë si kryeministër, herë si president, partitë e margjinalizuara të opozitës ruse sot nuk kanë asnjë përfaqësim në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Duma, dhe tani duken të vendosura të bëjnë ç’ është e mundur për ta ndryshuar një gjë të tillë.
 

Top Channel