SHBA, Lincoln Chafee shpall kandidaturën për president pas Clinton

17/04/2015 00:00

Në një intervistë për CNN ish-guvernatori i Rhode Island u shpreh se do të kandidojë si president i Shteteve të Bashkuara.

Ky vendim i tij vjen vetëm një javë pasi Lincoln Chafee ka ngritur një komitet të posaçëm për të  testuar nëse garuesit e zgjedhjeve të vitit 2016 e kanë apo jo potencialin e duhur për të marrë në duar postin më të lartë të vendit.

Por ende asgjë nuk është bërë zyrtare, zëdhënësja e Chafee tha se pavarësisht frazës së përdorur nga 62-vjeçari, stafi i tij  po grumbullon të gjithë dokumentet e duhura për ta paraqitur si kandidat zyrtar. Nëse kjo gjë realizohet, me shumë gjasë do të jetë kandidati i dyte pas Hilary Clinton nga Partia Demokratike.

Në fakt të dy politikanët nuk shquhen për relata të mira mes tyre. Ish-Sekretarja e Shtetit për një kohë të gjatë është akuzuar nga Chafee se ka ngathtësi diplomatike. Sipas tij, Clinton nuk i ka realizuar siç duhet detyrat për sa i përket luftës në Irak, ndaj këmbëngul se nuk duhet të ketë pritshmëri të lartë.  Ai shpreh se do të garojë i sigurt për faktin se ka besim në të ardhmen e vendit të tij.

Përpara se të zgjidhej guvernator, Chafee ka qenë në radhët e Partisë Republikane, nga 1999 deri në vitin 2007. Në të njëjtin vit, ai la Partinë Republikane dhe u bë një kandidat i pavarur. Ndërsa në maj 2013, ai kaloi me Partinë Demokratike, fakt ky i cili i uli dhe kredibilitetin te zgjedhësit e tij dhe kështu nuk kërkoi të rizgjidhej për një mandat të dytë si guvernator.

Ndërkohë, Lincol Chafee ka qenë një nga mbështetësit e presidentit Barak Obama si edhe ka udhëhequr fushatën e tij zgjedhore.

Top Channel