Në pritje të vendimit për Tsarnaev, familjarët e një viktime: Hiqni dorë nga ekzekutimi

17/04/2015 00:00

Prindërit e një djali, i cili ishte viktima më e re e sulmit me bombë gjatë Maratonës së Bostonit, iu kanë kërkuar prokurorëve federalë të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për të dënuar me vdekje autorin e bombave, përmes një deklarate të publikuar në një të përditshme të Bostonit këtë të premte.

Bill dhe Denise Martin, prindër të 8-vjeçarit të ndarë nga jeta tragjikisht Martin Richard, këmbëngulën që Departamenti amerikan i Drejtësisë të synojë një marrëveshje me Dzhokhar Tsarnaevin, i cili u dënua javën e kaluar për sulmet e vitit 2013, nëpërmjet së cilës ai do të hiqte dorë nga e drejta për të apeluar në këmbim të një dënimi me burgim të përjetshëm, pa pasur mundësinë e lirimit me kusht.

“E dimë që qeveria ka arsyet e saj për të synuar dënimin me vdekje, por ndjekja e vazhdueshme e dënimit ekstrem mund të sjellë vite të tëra apelimesh dhe tejzgjatje të përjetimeve të asaj dite, që ishte më e dhimbshmja e jetëve tona”, shkruante çifti në një deklaratë të titulluar “Për t’i dhënë fund ankthit, hiqni dorë nga dënimi me vdekje”.

Faza e dytë e gjykimit të Tsarnaev pritet të nisë të martën, kur juria që e dënoi shtetasin nga Çeçenia do të vendosë nëse do ta dënojë atë me vdekje, apo me burgim të përjetshëm.

Sipas prokurorëve, Tsarnaev, 19-vjeçari vëlla me ideatorin e atij sulmi, Tamerlan Tsarnaev, i cili mbeti i vdekur pas të këmbim-zjarrit me policinë, meriton ekzekutimin, duke thënë se sulmi i tij synonte të ndëshkonte dhe terrorizonte vendin, ku ai u zhvendos një dekadë përpara se të ndodhte ngjarja, një akt që ata e konsiderojnë si hakmarrje për fushatat ushtarake të Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve me shumicë muslimane.

Top Channel