Putin, i vendosur: Sanksionet po nxisin prodhimin vendas. Ecim me forcat tona

16/04/2015 00:00

Ashtu siç mund të pritej, shqetësimi kryesor i rusëve në pyetjet e drejtuara shefit të Kremlinit gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv, rezultoi të ishte ekonomia.

Problemet e vendit janë rënduar ndjeshëm prej sanksioneve të Perëndimit. Por Vladimir Putin u shfaq mjaft optimist me pohimet e veta, se masat ndëshkuese, pasojë e veprimeve të Moskës në Ukrainë, mund të përdoren për të nxitur zhvillimin e brendshëm e për të shtyrë Rusinë të mbështetet më shumë te rezervat dhe mundësitë e veta.

“Nuk ka shumë gjasa, që sanksionet e BE-së dhe SHBA-ve ndaj Rusisë të hiqen tani shpejt, por ne duhet ta përdorim këtë situatë për të mbërritur në një nivel të ri zhvillimi. Ka shenja inkurajuese se bujqësia po shënon rritje dhe se prodhimet tona janë duke zëvendësuar ushqimet e importuara nga jashtë”, tha Putin.

Sipas tij, ekonomisë ruse mund t’i duhen rreth dy vjet, që të marrë veten plotësisht, apo ndoshta edhe më pak, tani që vlera e rublës ka nisur të stabilizohet. Prodhimi industrial, megjithatë duket i destinuar të vazhdojë tkurrjen.

Ky është i 13-ti bashkëbisedim i përvitshëm televiziv i Putinit me publikun, që si zakonisht zgjat rreth 4 orë. Eventi, sipas korrespondentëve të huaj, është në përgjithësi i parapërgatitur, por sërish ai i nxjerr në pah në masë të madhe shqetësimet e rusëve.

Përpos ngërçit të ekonomisë në përgjithësi, e sidomos problemit të rritjes së ndjeshme të çmimeve, Putin është përballur edhe me ankesa mbi sistemin shëndetësor, pensionet, strehimin dhe shërbimet lokale.

Top Channel