Senati mbështet ligjin për marrëveshjen me Iranin

15/04/2015 00:00

Një panel i Senatit të Shteteve të Bashkuara ka miratuar njëzëri ligjin
që i jep fuqi Kongresit të rishikojë marrëveshjen potenciale për
frenimin e aktiviteteve bërthamore të Iranit, në këmbim të lehtësimit të
sanksioneve ndërkombëtare.

Presidenti Barack Obama, i cili fillimisht ka kërcënuar se do t’i vë veto ligjit të tillë, ka tërhequr kundërshtimet pas mbështetjes nga të dyja partitë.

Izraeli është shprehur i kënaqur, duke thënë se zëri i ligjvënësve amerikanë do të parandalojë “marrëveshjen e keqe me Iranin”.

Komiteti i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë ka votuar me 19 vota për dhe asnjë kundër Aktit të Rishikimit të Marrëveshjes Bërthamore me Iranin, pasi Demokratët dhe Republikanët kanë arritur kompromis në lidhje me masën.

Irani dhe gjashtë fuqitë botërore – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania – kanë arritur një marrëveshje kornizë më 2 prill, ndërsa kanë vendosur 30 qershorin si afat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Top Channel