Horror në Fancë, pesë foshnja të porsalindura gjenden të pajeta brenda banesës së një çifti
Parlamenti Evropian ka aprovuar një rezolutë që njeh genocidin ndaj armenëve nga turqit, që nderon viktimat, që propozon caktimin e një dite evropiane përkujtimore dhe që dënon kategorikisht çdo përpjekje për ta mohuar.
Nuk ka vonuar reagimi i Turqisë mbrëmjen e së mërkurës ndaj Brukselit, i cili doli kështu në krah të Papa Françeskut në polemikën mbi njohjen e genocidit.
“Mocionin ia kthejmë dërguesit. Është një veprim i pashembullt keqinformimi mbi çdo aspekt të tij”, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme.
Por irritimi i turqve nuk ka mbaruar me kaq. Kryeministri Ahmet Davutoglu ka akuzuar Papën se, “është bashkuar me frontin e së keqes”.
Fronti i së keqes përbëhet sipas kryeministrit turk nga ata që komplotojnë kundër Turqisë. “Një front i së keqes është formuar kundër nesh dhe tani edhe Papa ka aderuar tek ai”, ka thënë Davutoglu.
Gjithashtu, ai i ka cilësuar si “të pavërteta” citimet e Papës se masakra e armenëve ka qenë genocidi i parë i madh i shekullit të njëzetë.
Nuk ka munguar as reagimi i presidentit Erdogan, i cili ka kërcënuar me dëbimin e komunitetit armen që jeton dhe punon në Turqi.
“Mbi 100 mijë armenët që punojnë në Turqi nuk janë shtetas turq, mund t’i dëbojmë edhe pse nuk e kemi bërë ende këtë”, ka thënë Erdogan për një gazetë lokale.
Kërcënimi për dëbimin nuk është diçka e re, pasi presidenti turk e kishte përmendur atë edhe në 2010-n, kur mbante postin e kryeministrit.
Meshën e së dielës në Sheshin Shën Pjetër, Papa Françesku përkujtoi 100-vjetorin e masakrës së 1.5 milion armenëve, duke e cilësuar atë një genocid të pastër.
Pak orë më vonë, Ankaraja ndërmori një hap ekstrem duke tërhequr ambasadorin e saj nga Vatikani, siç tha, për konsultime.
Top Channel